Zgjedhjet e 12 tetorit, çfarë solli java e parë e fushatës?

Zgjedhjet e 12 tetorit, çfarë solli java e parë e fushatës?

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë ka nisur zyrtarisht më 13 shtator 2025, duke shënuar fillimin e një muaji të ngjeshur aktivitetesh politike.

Gjatë kësaj periudhe, subjektet politike kanë kohë të prezantojnë programet e tyre për komunat që synojnë të qeverisin, në rast se fitojnë mandatin, transmeton Telegrafi.


Fushata ka sjellë në terren një numër të madh kandidatësh për kryetarë komunash dhe për anëtarë të asambleve komunale, të cilët po zhvillojnë takime intensive me qytetarët në mbarë vendin.

Fillimi i fushatës në Prishtinë

Lëvizja Vetëvendosje hapi zyrtarisht fushatën në Prishtinë, ku lideri i saj, Albin Kurti, deklaroi para të pranishmëve se programi i partisë për komunat përfshin “të gjitha planet” e nevojshme për zhvillim lokal.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nisi fushatën nga kryeqyteti. Kryetari i saj, Memli Krasniqi, u shpreh se “ka ardhur koha për Prishtinën dhe për gjithë Kosovën”.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zgjodhi gjithashtu Prishtinën për hapjen e fushatës. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, theksoi se LDK është një parti që bën aleanca me botën, jo që i mbyll dyert. Sipas tij, “në LDK ka njerëz që e ndërtojnë shtetin, jo që e shkatërrojnë atë”.

Ankesa dhe Parashtresa në PZAP

Shtatë ditët e para të fushatës nuk kaluan pa ankesa. Lëvizja Vetëvendosje, PDK dhe Lista Serbe kanë paraqitur ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Megjithatë, PZAP i ka refuzuar dhe anuluar këto ankesa, pa konfirmuar ndonjë shkelje serioze.

Premtime, akuza gjatë fushatës zgjedhore

Gjatë fushatës, kandidatët për kryetarë komunash po vazhdojnë takimet me qytetarët, ku japin premtime të ndryshme, që variojnë nga arsimi dhe shëndetësia, te zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura lokale.

Ndërkohë, nuk kanë munguar as akuzat dhe përplasjet verbale mes kandidatëve të subjekteve të ndryshme. Sidoqoftë, deri tani nuk është raportuar për ndonjë incident serioz apo ngjarje që të cënojë sigurinë apo integritetin e procesit zgjedhor. /Telegrafi/