Zërat ndërkombëtarë në mbrojtje të çlirimtarëve, dëshmitë që po e “shkundin” Hagën

Zërat ndërkombëtarë në mbrojtje të çlirimtarëve, dëshmitë që po e “shkundin” Hagën

Dëshmitë e ish-diplomatëve ndërkombëtarë trazuan muret e Gjykatës Speciale në Hagë që nga 15 shtatori, aty ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Për dëshmitë e James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan, tre dëshmitarët që kanë dëshmuar deri më tani, nga 11 sosh që janë thirrur nga mbrojtja e Thaçit, thuhet se është indikacion i qartë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe janë mbështetëse në këtë proces gjyqësor.

Kështu të paktën deklaron për Klankosova.tv, Blendina Veliqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Këta dëshmitarë, Veliqi thotë se janë të një rëndësie të veçantë për shkak të shërbimit të tyre në Kosovë gjatë periudhës së luftës, e ndër të tjera, sipas saj, shquhen për persona me integritet të pakontestuar, paanshëm dhe me përvojë të pakontestuar lidhur me ruajtjen e paqes dhe sigurisë  në Evropë dhe me gjerë.

“Dëshmitarët ndërkombëtarë me eksperiencë diplomatike ose ushtarake të cilët kanë shërbyer në Kosovë gjatë periudhës së luftës dhe pas përfundimit të saj, janë të rëndësisë së veçantë  pasi japin dëshmi dhe argumente të vlefshme në kuptim të konceptit të saktë se si ka funksionuar UÇK në terren. Këto dëshmi vinë nga persona me integritet të pakontestuar, paanshëm dhe me përvojë të pakontestuar lidhur me ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Evropë dhe me gjerë, në bazë të funksioneve që kane mbajtur. Andaj, të njëjtit kanë njohuri të dorës së parë lidhur me  ngjarjet që e kanë karakterizuar Kosovën si dhe përgjegjësinë dhe rolin që kanë pasur të akuzuarit gjatë asaj periudhe kohore”.

“Duke e ditur që këta dëshmitarë janë dëshmitar sipas rregullës 107 për të cilët kërkohet autorizim i informacionit nga institucionet ndërkombëtare në të cilat kanë shërbyer, tregon qartë se vendet si SHBA dhe Britania e Madhe janë të përkushtuar në mbështetjen që të zbardhet e vërteta në këtë proces gjyqësor”, u shpreh Veliqi.

Sipas Veliqit, dëshmitë e James Rubin, Paul Williams dhe të John Duncan, i bëjnë të paqëndrueshme dhe qesharake akuzat apo pretendimet e Prokurorisë për hierarki dhe strukturë komanduese nga lartë-poshtë në UÇK.

“Është e parakohshme të thuhet se dëshmitë e fundit do të çojnë në lirimin e plotë të të pandehurve. Dëshmitë si të James Rubin, Paul Williams, John Duncan e bëjnë të paqëndrueshme dhe qesharake akuzat apo pretendimet e Prokurorisë për hierarki dhe strukturë komanduese nga lartë-poshtë në UÇK. Në anën tjetër, ka me qindra prova që janë pranuar nga Prokuroria e që shumica janë konfidenciale, për të cilat besojmë që në vlerësimin e tyre, trupi gjykues do të jetë profesional dhe secilës prej provave do ua jep peshën e duhur. Megjithatë, mund të themi që dëshmitë e ofruara nga Rubin, Williams dhe Duncan janë dëshmi dhe fakte të pamohueshme për mënyrën e funksionimit të UÇK-së”, shtoi ajo për Klankosova.tv.

Sipas Veliqit, dëshmia e tre ndërkombëtarëve është version ndryshe nga ajo se çfarë pretendon Prokuroria, sidomos për Thaçin dhe Krasniqin.

Veliqi komentoi edhe mbështetjen që shqiptarët anë e kënd po e japin për të paraburgosurit në Hagë.

“Duke iu referuar edhe dy protestave të fundit të cilat ndodhen njëra pas tjetrës në një periudhë të shkurtër kohore, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë e sheh këtë proces si të karakterizuar nga padrejtësia sidomos ndaj katërshes së UÇK-së, duke u thirrur në atë që janë mbajtur në paraburgim për një kohë të gjatë. Po ashtu, kjo Gjykatë nga një pjesë e konsiderueshme ashtu siç prezantohet në diskursin publik, shihet si gjykatë një etnike dhe se gjykatë që është duke e gjykuar UÇK-në në tërësinë e saj”, tha ajo.

Nga ana tjetër, avokati Ardian Bajraktari, tha për Klankosova.tv se nga mesi i shtatorit në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është parë një anë tjetër e medaljes, ndryshe nga ajo që është servuar nga Prokuroria.

“Në këtë fazë roli i palës mbrojtëse është tejet i rëndësishëm. Dëshmitë e ish-diplomatëve amerikanë dhe britanik, janë tejet të rëndësishme, sepse jo vetëm që janë të besueshme, por vijnë nga persona që kanë qenë drejtpërdrejt pjesë e procesit për rrjedhjen e ngjarjeve, për procesin nëpër të cilin ka kaluar vendi ynë, për rrjedhat e luftës. Për më tepër deklarimet e tyre në shumë raste po shoqërohen edhe me dokumente, si dhe po janë të sinkronizuara njëra me tjetrën, çka nënkupton se kjo është e vërteta për UÇK-në dhe z.Thaçi në veçanti”, thotë Bajraktari.

Sipas Bajraktarit, dëshmitë e ndërkombëtarëve do të kenë impakt mbi gjykimin në Hagë.

“Dëshmitë e tyre natyrisht si para trupit gjykues ashtu edhe tek opinioni i gjerë e veçmas ndërkombëtar do të kenë impakt, për faktin se po dëshmohet e vërteta nga persona edhe të besueshëm por edhe objektiv”, tha avokati.

Tutje, Bajraktari thotë se nuk ka asnjë arsye që ish-krerët e UÇK-së të mbahen ende në paraburgim.

Sipas tij, nga fillimi i muajit prill të këtij viti, ka qenë shkelje flagrante e ligjit qëndrimi në paraburgim i luftëtarëve të UÇK-së.

“Së paku nga fillimi i prillit të këtij viti, nuk ka asnjë arsye që ish-krerët e UÇK-së të qëndrojnë në paraburgim, është shkelje flagrante e ligjit si dhe janë vendime në kundërshtim me praktikë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, prandaj reflektimi i Gjykatës Speciale në raport me rishikimin e kësaj mase do të duhej me ndodhë sa më parë, aq më tepër në këtë fazë të procesi”, tha ai. /Klankosova.tv

The post Zërat ndërkombëtarë në mbrojtje të çlirimtarëve, dëshmitë që po e “shkundin” Hagën appeared first on Klan Kosova.