Zeneli: Deklaratat e Osmanit minojnë besimin ndaj mediave

Zeneli: Deklaratat e Osmanit minojnë besimin ndaj mediave

Profesori universitar i gazetarisë, Alban Zeneli, ka komentuar deklaratat e fundit të presidentes Vjosa Osmani, duke i cilësuar ato si pjesë e një qasjeje të përsëritur të institucioneve më të larta të vendit ndaj mediave.

Në emisionin FIVE të Dukagjinit, Zeneli tha se sulmet verbale ndaj gazetarëve nuk janë të reja dhe se synimi kryesor i tyre është ulja e besimit të publikut tek media.


“Fatkeqësisht, kjo qasje nuk është e re, as nga presidentja e as nga qeveria. Prej kohësh kemi parë deklarata kundër mediave dhe gazetarëve. Qëllimi final është minimi i besimit të qytetarëve në punën e ndershme të gazetarëve, të cilët me fakte dhe argumente ekspozojnë keqpërdorimet dhe format e tjera të abuzimit me pushtetin në Kosovë”, u shpreh Zeneli.

Ai theksoi se përdorimi i një gjuhe të tillë, pa ofruar fakte konkrete, krijon klimë intimidimi për gazetarët dhe ndikon drejtpërdrejt në rënien e lirisë së medias, siç pasqyrohet edhe në raportet ndërkombëtare.

Sipas tij, gjuha e përgjithësuar e sulmit ndaj mediave, pa specifikuar emra apo prova, është një strategji për të ushtruar presion ndaj gazetarëve dhe për të dobësuar ndikimin e tyre në opinionin publik.

“Kjo besoj se është arsyeja kryesore. Pasojë e saj është edhe nxitja e gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve, e cila vërehet sidomos në portalet online dhe komentet e tyre. Ky fenomen reflektohet edhe në raportet ndërkombëtare, si ai i Reporterëve pa Kufij, ku Kosova ka rënë për 30 vende vetëm vitin e fundit krahasuar me vitin paraardhës. Intimidimi i gazetarëve dhe sulmet verbale pa fakte – siç ndodhi edhe dje me deklaratat e zonjës Osmani – përbëjnë sulme të përgjithësuara që synojnë uljen e besimit të publikut tek gazetarët. Ky përdorim i gjuhës bëhet me qëllim intimidimi dhe delegjitimimi të punës së tyre”, shtoi profesori universitar.