Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, pas sulmeve masive ruse në rrjetin energjetik të Ukrainës.
“E informova presidentin Trump për sulmet e Rusisë ndaj sistemit tonë energjetik — dhe e vlerësoj gatishmërinë e tij për të na mbështetur”, tha Zelensky, duke e vlerësuar diskutimin si “shumë pozitiv dhe produktiv”.
Gjatë telefonatës, Zelensky vlerësoi gjithashtu Trumpin për përpjekjet e tij për paqe në Lindjen e Mesme, pasi SHBA ndërmjetësoi një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.
“Nëse një luftë mund të ndalet në një rajon, atëherë me siguri edhe luftërat e tjera mund të ndalen, përfshirë luftën ruse”, tha Zelensky, duke i bërë thirrje Moskës të angazhohet “në diplomaci të vërtetë”.
Ndryshe, Trump është zotuar vazhdimisht të ndërmjetësojë një marrëveshje të shpejtë paqeje midis Kievit dhe Moskës, por përpjekjet kanë ngecur kryesisht ndërsa Rusia vazhdon të refuzojë një armëpushim dhe përshkallëzon sulmet ndaj Ukrainës.
Një ditë para telefonatës me Trumpin, Zelensky zhvilloi telefonata me udhëheqës evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe presidentin finlandez Alexander Stubb. /Telegrafi/