Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të ndërmjetësojë paqen në Ukrainë, duke shfrytëzuar momentin e armëpushimit në Lindjen e Mesme.
Thirrja u bë gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të shtunën, për të cilën raportoi fillimisht portali Axios. Dy liderët diskutuan gjithashtu për kërkesën e Ukrainës që SHBA të lejojë dërgimin e raketave me rreze të gjatë “Tomahawk” për të përmirësuar kapacitetin mbrojtës të Kievit.
“Nëse një luftë mund të ndalet në një rajon, atëherë padyshim mund të ndalen edhe luftëra të tjera – përfshirë luftën ruse”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social X, një ditë pas sulmeve masive të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të vendit të tij.
Ai tha se kishte zhvilluar një bisedë “shumë pozitive dhe produktive” me Trumpin dhe shtoi:
“E informova presidentin Trump për sulmet e Rusisë ndaj sistemit tonë energjetik – dhe e vlerësoj gatishmërinë e tij për të na mbështetur.”
Gjatë kësaj jave, Rusia ka lëshuar 465 dronë të tipit “Shahed” dhe 32 raketa kundër Ukrainës. Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase, Oleksandr Syrskyi, paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet:
“Na presin sfida të reja. Gjatë muajit të fundit, armiku ka shtuar numrin e mjeteve ajrore të sulmit dhe megjithëse mbrojtja jonë ajrore është rreth 74% efektive, ne duhet të bëjmë përpjekje shtesë për të mbrojtur sektorin energjetik, infrastrukturën kritike dhe logjistikën.”
Zelensky përsëriti thirrjen për ndihmë më të madhe nga aleatët dhe përdorimin e aseteve ruse të ngrira për rindërtim dhe mbrojtje.
“Asetet ruse duhet të përdoren plotësisht për të forcuar mbrojtjen tonë dhe për të siguruar rindërtimin,”
tha ai të premten në mbrëmje.Ndërkohë, në një deklaratë të përbashkët, liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë shprehën gatishmëri për të bashkëpunuar me SHBA-në në përdorimin e pasurive të ngrira ruse për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës dhe për ta detyruar Rusinë të ulet në tryezën e bisedimeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!