Profesori Engelbert Zefaj ka thënë se presidenti i vendit mund të rrjedh nga familja Jashari, ose-ose, Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje.
Në emisionin “Ora Shtatë”, ai shtoi se edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur interesim për një mandat të dytë, mirëpo, siç tha ai, ajo s’i siguron votat, transmeton Klankosova.tv.
“Përveç Osmanit që e ka shprehur publikisht interesimin për me qenë presidente, emra të tjerë nuk ka të përfolur nga politikanët, ka nga mediat, të cilat supozojnë. Kuptohet që një emër i mundshëm mund të jetë nga familja Jashari, dikush po thotë që Bashkim Jashari, por unë nuk e besoj sepse ai udhëheq ushtrinë e Kosovës. Të tjerët thuhet se janë Murat ose Bekim Jashari, dhe kundërkandidat e kanë Vjosa Osmanin”.
“PDK, mendoj unë, që nuk do ta përkrahë Osmanin, për shkak të goditjeve të saj ndaj Hashim Thaçit. Po ashtu edhe për LDK-në, dihet sa keq e ka tradhtuar ajo Lidhjen Demokratike të Kosovës. Tash këtu po e shohim që do kemi një president që do vjen nga familja Jashari, ose Kosova do të shkojë në zgjedhje”, tha Zefaj në Klan Kosova.


