Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës paraqet një person në Polici për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”

Zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Gëzim Hajrullahu, arsimtar në një fshat të Ferizajt, ka shfrytëzuar platformën Facebook për publikimin e fotografisë së zëdhënësit të Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi bashkëngjitur edhe me një shkrim fyes dhe shpifës.

Në postim thuhet se ai është “prokuror i Iranit”, dhe shoqërohet me fjalë të tjera fyese.

Për këtë, Nikçi ka paraqitur rastin në Polici me datën 16 gusht.

Rasti u përmend edhe në raportin e sotëm 24-orësh të Policisë.

“Pejë, 16.08.2025.NN. Viktima mashkull kosovar, ka njoftuar se një person në rrjetin social Facebook i kishte komentuar me disa shkrime duke nxitur përçarje dhe mos durim e më pas ka pasur edhe komente të tjera nga disa persona të tjerë të cilët kanë përdorë fjalë fyese dhe denigruese duke e mbështetur komentin e personit të dyshuar. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin policor, ndërsa rasti është cilësuar si “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit”, raporton Klankosova.tv.

Në publikimin e Hajrullahut është shkëputur një fotografi ku Nikçi flet për vrasjet e pasluftës dhe rastet mes familjeve Elshani-Kelmendi në Pejë, e jo sikurse pretendohet se prononcimi lidhej me “Lëvizjen e Deçanit”.

Nga policia thanë se ende nuk ka të arrestuar për rastin dhe se po punohet në identifikimin e plotë të personave të përfshirë meqenëse ka edhe komente mbështetëse.

Duhet kujtuar se Nikçi është zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Pejës, e jo prokuror, pozitë që e ushtron prej 8 vitesh.

The post Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës paraqet një person në Polici për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” appeared first on Klan Kosova.