Aktorja e njohur, Diane Keaton, ndërroi jetë më 11 tetor në moshën 79-vjeçare, si pasojë e pneumonisë, konfirmoi familja e saj për revistën People.
Familja shprehu mirënjohje për mesazhet e dashurisë dhe mbështetjes që morën dhe sugjeroi që çdo donacion në kujtim të saj të bëhej për banka ushqimore lokale ose strehë për kafshë, pasi Keaton ishte e apasionuar pas kafshëve dhe e përkushtuar ndaj komunitetit të pastrehë.
Shëndeti i aktores ishte përkeqësuar papritur në muajt e fundit, duke i shqetësuar miqtë dhe familjen, ndërsa ajo e kishte mbajtur të fshehtë gjendjen.
Diane Keaton
Ndryshime të tjera në jetën e saj, si shitja papritmas e “shtëpisë së ëndrrave” në Los Angeles për 29 milionë dollarë, treguan se diçka po ndodhte në jetën personale.
Keaton, e njohur për shëtitjet e përditshme me qenin e saj, Reggie, nuk ishte parë në publik për muaj të tërë. Postimi i fundit në Instagram në prill tregonte një Diane të lumtur dhe të shëndetshme.
Në aspektin personal, Keaton nuk u martua kurrë, por pati lidhje me Al Pacino për rreth dy dekada si dhe me regjisorin Woody Allen dhe aktorin Warren Beatty.
Diane Keaton
Në përgjithësi, Diane njihej jo vetëm për karrierën e jashtëzakonshme si fituese e çmimit Oscar, por edhe për përkushtimin ndaj kafshëve dhe komunitetit, si dhe për një jetë private të mbushur me dashuri për familjen dhe miqtë. /Telegrafi/