Një aksion policor në fshatin Dumnicë e Poshtme të komunës së Podujevës ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 17:30 të së shtunës, janë arrestuar dy shtetas të Kosovës dhe dy shtetas të Shqipërisë, pasi Policia e Kosovës ka zbuluar një parcelë të madhe të mbjellë me bimë narkotike të llojit kanabis të fshehura mes një sipërfaqeje të mbjellë me misër, me përmasë afërsisht një hektar.
Dy të dyshuarit kosovarë janë pronarët e tokës, ndërsa shtetasit shqiptarë dyshohet se ishin punëtorë në këtë parcelë dhe të përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, të katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe po mbahen në qendrën e ndalimit, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprën penale:
“Kultivimi i bimës, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa pritet që gjatë ditëve në vijim të ndërmerren veprime shtesë hetimore. /Telegrafi/