Zaev: Mickoski shpif për t’i fshehur dështimet, arroganca e tij do ta çojë në humnerë politike

Zaev: Mickoski shpif për t’i fshehur dështimet, arroganca e tij do ta çojë në humnerë politike

Ish-kryeministri Zoran Zaev sot i ka quajtur shpifje dhe ikje nga përgjegjësia deklaratat e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski.

“Pallavra, shpifje dhe fyerje janë metodat e Mickoskit me të cilat ai përpiqet të justifikohet për katastrofën që po i shkakton të gjithë shtetit. Paaftësia e tij për të arritur qoftë edhe një rezultat të vetëm në cilëndo fushë të shoqërisë dhe politikës, e shoqëruar me vetëkënaqësinë dhe arrogancën e tij, do ta çojë atë në humnerë politike. Por, duhet të kemi kujdes që të mos e tërheqë edhe shtetin me vete në atë humnerë”, shkruan Zaev në profilin e tij në Facebook si reagim ndaj akuzave të kryeministrit aktual Hristijan Mickoski se ka marrë valixhe me para nga një ish-kryeministër bullgar.


Zaev shkruan se nëse dikush është “ekspert për valixhe me para”, atëherë ata janë pikërisht mbështetësit dhe financuesit e Mickoskit.

“Kategorikisht i hedh poshtë gënjeshtrat dhe shpifjet e Mickoskit për të ashtuquajturat ‘valixhe me para nga një ish-kryeministër bullgar’, si të pavërteta dhe si një përpjekje e dëshpëruar e një kryeministri të paaftë për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit nga dështimet e tij tek trillimet e veta”, shton Zaev.

Dy ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski nga një tubim në Kumanovë tha se propozim-rezoluta për vijat e kuqe e LSDM-së është një ‘kalë troje’ dhe një dhuratë e re për Bullgarinë. Ai akuzoi se një ish kryeministër bullgar financiarisht e kishte ndihmuar atë opsion të LSD-së drejtpërdrejt përmes një valixheje me para, drejtuar mentorit të Filipçes nga Strumica.