Analisti politik Visar Ymeri ka reaguar me kritika të ashpra ndaj qëndrimeve të fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke i cilësuar ato si kontradiktore dhe të rrezikshme për interesat strategjike të Kosovës.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Ymeri ka vënë në pikëpyetje deklaratat e Kurtit që sipas tij nuk e konsideron lidhjen e ngushtë të Serbisë me Rusinë si problem për Kosovën dhe rajonin, ndërkohë që ka shprehur mospajtime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimet në veri të vendit.
“Si nuk qenka problem yni edhe largimi i Serbisë nga Rusia? A nuk është ndikimi rus në Evropë dhe rajon rrezikim i përgjithshëm i sigurisë, demokracisë e progresit?”, shkruan Ymeri.
Ai e cilëson Serbinë e lidhur me Rusinë si një shtet të “fuqizuar ushtarakisht, autoritar përsëbrendshmi dhe të rrezikshëm për secilin në rajon”, duke përmendur ndikimin destabilizues të Beogradit në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Në këtë kontekst, Ymeri e akuzon Kurtin se “siguria e Kosovës nuk qenka problem i tij”, duke iu referuar mungesës së reagimit të qeverisë ndaj orientimit të Serbisë kah Moska.
Në pjesën tjetër të reagimit, ai ndalet te raportet e Kosovës me SHBA-të, duke komentuar deklaratat e Kurtit të dhëna para studentëve, se Shtetet e Bashkuara nuk pajtohen me mënyrën se si Qeveria po vendos rend dhe ligj në veri.
“Kurti po thotë që ShBA e përkrahin krimin në veri meqë e sanksionojnë Kosovën kur e lufton atë. Së këndejmi nuk qenka problem (i Kurtit) ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë”, shkruan Ymeri.
Ai shton se a është duke e ditur Kurti se çka po flet? apo thjesht është freestyling (çka t’i bjen në mend qaty për qaty)?
“Po shpresoj që përnjëmend nuk po e din. Po shpresoj që këto qëndrime janë të rastësishme”, ka shkruar Ymeri. /Telegrafi/