Ylli i Chelseat dhe Anglisë, Cole Palmer, ka siguruar zyrtarisht të drejtat tregtare për nofkën e tij të njohur “Cold Palmer”.
Aplikimi për regjistrim u dorëzua në Zyrën e Pronësisë Intelektuale të Mbretërisë së Bashkuar në nëntor të vitit të kaluar dhe është miratuar së fundmi, duke i dhënë Palmer të drejtën ekskluzive për ta përdorur këtë emër në mënyrë komerciale.
Patenta “Cold Palmer” përfshin një gamë të gjerë produktesh, përfshirë artikuj si: sapunë, veshje, ushqime të lehta, briskë rroje, mbrojtëse për telefona, drone, lodra dhe pije alkoolike, me përjashtim të verës.
Ky përjashtim vjen pas kundërshtimit nga kantina e njohur franceze “Chateau Palmer”.
Ky hap ligjor i siguron Palmer mbrojtje kundër përdorimit të paautorizuar të emrit të tij dhe njëkohësisht i hap rrugë mundësive për licencim dhe shitje produktesh me brendin e tij, si gjatë, ashtu edhe pas përfundimit të karrierës si futbollist.
Ekspertët e marketingut sportiv e cilësojnë këtë lëvizje si një strategji të qartë për ndërtimin e një brendi personal të qëndrueshëm, në linjë me atë që kanë bërë edhe futbollistë të tjerë të profilit të lartë që kanë regjistruar emrin apo imazhin e tyre si patenta tregtare. /Telegrafi/