Ylli i Bayern Munichut e ofron veten te Real Madridi

Ylli i Bayern Munichut e ofron veten te Real Madridi

Real Madrid po vazhdon politikën e transferimeve të mençura me lojtarë të lirë dhe objektivi i radhës mund të jetë një tjetër mbrojtës i madh evropian.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, Dayot Upamecano ka ofruar veten për t’iu bashkuar “Los Blancos” verën e ardhshme.


26-vjeçari ka kontratë me Bayern Munich deri në vitin 2026, por nuk pritet të rinovojë. Ai tashmë ka zhvilluar mbi 150 ndeshje zyrtare me bavarezët që nga transferimi prej 41 milionë eurosh nga RB Leipzig në vitin 2021, por shpesh është kritikuar për mungesë përqendrimi, pavarësisht forcës fizike dhe aftësive teknike.

Në rast se largohet pa kontratë të re, Upamecano do të ndjekë rrugën e David Alabas, i cili po ashtu iu bashkua Real Madridit nga Bayern si lojtar i lirë. E njëjta strategji u përdor me sukses edhe me transferimet e Antonio Rudiger dhe Trent Alexander-Arnold.

Dayot Upamecano

Raporti shton se përfaqësuesit e francezit tashmë kanë kontaktuar drejtpërdrejt klubin madrilen, duke treguar qartë dëshirën e Upamecanos për të veshur fanellën e bardhë.

Ndërkohë, Real Madrid ka nisur edhe punën për të siguruar shërbimet e një tjetër francezi – Ibrahima Konate nga Liverpool – i cili po ashtu ka refuzuar rinovimin afatgjatë për të hapur rrugën drejt “Santiago Bernabéu”-s në vitin 2026./Telegrafi/