Yakin: S’bëhet fjalë për ndeshje vëllazërore, Zvicra luan për të fituar

news image

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka bërë të qartë se ekipi i tij synon fitore në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Ndeshja zhvillohet të premten mbrëma në “St. Jakob-Park” në Basel, ndaj Kosovës, ku pritet që tifozët të jenë rreth 50% zviceranë dhe 50% kosovarë.

“Kur luajtëm miqësore me Kosovën në mars të vitit 2022 flitej për një duel vëllazëror. Kjo nuk do të ndodhë më.”, ka thënë Yakin, duke theksuar se tani bëhet fjalë për një ndeshje serioze kualifikimi.

Ai shtoi se dy ndeshjet e para në shtëpi, kundër Kosovës dhe Sllovenisë, ofrojnë mundësinë për të krijuar një pozicion të mirë fillestar në grup.

Yakin është shprehur optimist për gjendjen e skuadrës pas javës së përgatitjeve jashtë vendit, pavarësisht luhatjeve të formës së disa lojtarëve kryesorë si Breel Embolo dhe Manuel Akanji: “Java ka shkuar mirë, të gjithë janë të gatshëm dhe në formë.”, ka thënë ai.

Në ofensivë, shpresat janë tek Dan Ndoye, sulmuesi i ri që ka shkëlqyer pas transferimit nga Bologna te Nottingham Forest. “Unë pranoj përgjegjësinë dhe do të ndihmoj ekipin me cilësitë e mia, por do të mbetem i njëjti Dan”, ka deklaruar ai.

Yakin gjithashtu e ka vënë theksin te rëndësia e fillimit të mirë, duke kujtuar se ndeshja do të jetë një sfidë reale: “Futbolli është shumë i shpejtë dhe grupi është i vështirë, por përgatitjet e fundit kanë qenë të shkëlqyera. Tani gjithçka duhet të përkthehet në lojë.”, ka thënë ai.

Pas takimit me Zvicrën, Kosova do të presë Suedinë në Prishtinë. Në grup janë gjithashtu Sllovenia dhe Zvicra.

Ndeshja Zvicër – Kosovë zhvillohet të premten, ora 20:45, në “St. Jakob-Park”, Basel.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/