E martë, 6 Maj, 2025
spot_img
HomeSportXherdan Shaqiri “mbret” në Zvicër, Basel pranë titullit falë tij – Indeksonline.net

Xherdan Shaqiri “mbret” në Zvicër, Basel pranë titullit falë tij – Indeksonline.net

Xherdan Shaqiri po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm në Superligën e Zvicrës, duke e udhëhequr Baselin drejt titullit të parë pas plot tetë vitesh pritje.

Ylli nga Kosova ka qenë protagonist absolut, duke u shndërruar në liderin e padiskutueshëm të kampionatit.

Me 15 gola dhe plot 20 asiste në 30 ndeshje, Shaqiri është jo vetëm golashënuesi më i mirë i Superligës, por edhe asistuesi më i saktë.

Rikthimi i tij verën e kaluar te Baseli ka rezultuar vendimtar. Edhe tifozët më besnikë nuk e kishin parashikuar një formë kaq të lartë. Në fushë, 33-vjeçari është bërë njeriu kyç, me një ndikim që i ka munguar kampionatit prej vitesh.

Baseli, falë performancës së Shaqirit, është në krye të renditjes me 64 pikë pas 34 ndeshjesh, plot 9 më shumë se ndjekësi më i afërt.

Diferenca e golave është mbresëlënëse, +44, ndërsa ekipi ka realizuar 77 gola, shumë më tepër se ndjekësit më të afërt, si Lucerna me 61.

Shaqiri ka një karrierë të pasur pas vetes, me eksperienca te klubet më të mëdha si Bayern Munich, Liverpool e Inter.

Ai ka fituar dy herë Champions League, dy herë Kupën e Botës për klube, tri herë Bundesligën dhe një herë Premier Ligën.

Edhe me përfaqësuesen e Zvicrës ka shkëlqyer, me 32 gola në 125 ndeshje.

Në Zvicër, kishte fituar më parë tri tituj kampioni dhe dy Superkupa me Baselin, ndërsa tani është në rrugë të sigurt për t’i rikthyer klubit lavdinë që mungon prej vitit 2017.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT