Kryetari aktual i Dragashit dhe kandidat i LDK-së për një mandat tjetër, Bexhet Xheladini, ka shpalosur planprogramin e tij qeverisës.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ai tha se programi i hartuar bashkë me kryesinë dhe ekspertët e LDK-së ka për vizion ndërtimin e një komune moderne, transparente e gjithëpërfshirëse.
Po ashtu në programin e tij, prioritet i është dhënë infrastrukturës dhe shërbimeve publike, asfaltimit dhe kubëzimit të rrugëve lokale, mirëmbajtjes së tyre gjatë verës dhe dimrit, ndriçimit publik në të gjitha zonat, si dhe mbulimit të shpenzimeve të rrymës për ndriçim e ujësjellës.
“Kryesia e LDK-së, së bashku me kryetarin dhe ekspertët e partisë, ka përgatitur një program qeverisës për katër vitet e ardhshme. Ky program ka në vizion të qartë që besimi i qytetarëve të jetë kapitulli kryesor. Ne synojmë ndërtimin e një komune moderne, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Qeverisja jonë do të jetë pa asnjë aktakuzë për korrupsion apo keqpërdorim. Do të përgatisim buxhetin, do të shpenzojmë 95 për qind të tij dhe do t’i japim llogari qytetarëve tanë.Në planprogram do të fillojmë me infrastrukturën dhe shërbimet publike. Sa i përket infrastrukturës, planifikohet asfaltimi, kubëzimi dhe mirëmbajtja e të gjitha rrugëve, si verore ashtu edhe dimërore, duke përfshirë rrugët lokale dhe ato të lagjeve që nga viti i parë i qeverisjes. Do të vendoset ndriçim publik në të gjitha lokacionet, ndërsa komuna do të paguajë shpenzimet e energjisë elektrike për ndriçimin dhe për ujësjellësin nëpër fshatra”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
Xheladini theksoi se do të ketë politika të barabarta për të gjitha komunitetet që jetojnë në Dragash.
“Komunitetet e barabarta janë një nga shtyllat tona kryesore, sepse komuna e Dragashit është model i bashkëqeverisjes së tri komuniteteve dhe ne do të bëjmë politika të barabarta për të gjitha komunitetet”, tha Xheladini./Klankosova.tv
The post Xheladini i LDK-së, premton infrastrukturë, transparencë dhe barazi në Dragash (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.