Mesfushori i Sunderlandit, Granit Xhaka, ka ndarë emrat e tre klubeve me të cilat është më i emocionuar të përballet këtë sezon në Ligën Premier.
Në një intervistë për mediat angleze, kapiteni i Kombëtares së Zvicrës foli me pasion për rivalitetet që e presin në rikthimin e tij në elitën e futbollit anglez.
Ai ka treguar tre klubet që mezi pret të përballet këtë sezon në Ligën Premier.
“Në rregull, kjo nuk është aq e komplikuar. Me siguri, Newcastle është skuadra e parë që mezi pres të përballem”, tha Xhaka.
“E di çfarë do të thotë për Sunderlandin, për tifozët dhe për klubin që të ketë këtë derbi. Kam pasur shumë derbi në karrierën time, por kam dëgjuar se ky do të jetë ndoshta më i çmenduri. Dua të jem aty në fushë dhe ta shijoj momentin”.
Në vendin e dytë, Xhaka vendosi ish-klubin e tij, Arsenalin, ku kaloi shtatë vite të suksesshme.
“Atje ku kam qenë për shtatë vjet, kam kaluar një periudhë fantastike. Ende mbaj kontakte me trajnerët, lojtarët dhe anëtarët e klubit. Jam thjesht mirënjohës për gjithçka që kam përjetuar te Arsenali”.
Si kundërshtarin e tretë më emocionues, ai përmendi Tottenhamin, për shkak të kujtimeve të tij nga derbit e zjarrta të Londrës.
“Sigurisht, Tottenham. E njoh atmosferën, tensionin dhe emocionin e derbit me Arsenalin. Nuk ka asgjë të ngjashme me të”.
Kështu, për Xhakën, ndeshjet kundër Newcastle, Arsenal dhe Tottenham do të jenë ndër më të veçantat në sezonin e tij të parë me fanellën e Sunderlandit në Ligën Premier. /Telegrafi/