Xhaka pas fitores ndaj Nottingham Forest: S’ka rëndësi kush është më i mirë në fushë, po kush shënon

news image

Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, ka vlerësuar punën e përbashkët të skuadrës si arsyen kryesore të rezultateve pozitive që po arrijnë.

Sunderland shënoi një fitore të rëndësishme në udhëtim te Nottingham Forest me rezultat 0:1, ku te goli i vetëm asistoi vetë Xhaka.

Pas ndeshjes, mesfushori shqiptar i dha një intervistë “Sky Sports”, ku pranoi se vendasit kishin qenë më të mirë, por theksoi rëndësinë e golit dhe mentalitetin e ekipit.

“Kishim një plan loje dhe e dinim se këtu do të ishte shumë e vështirë. Por çfarë mentaliteti nga ekipi! Kjo është ajo që na duhet, çfarë mbështetje nga tifozët. Nottingham Forest ishin më të mirë sot, por nuk ka rëndësi kush është më i mirë në fushë, rëndësi ka kush shënon më shumë”, u shpreh Xhaka.

Ai foli edhe për arsyen e kalimit te Sunderland dhe për rolin e tij në skuadër.

“Është projekti. Më morën këtu për përvojën time, lidershipin dhe atë që mund t’i jap skuadrës. Po e tregoj ditë pas dite, javë pas jave profesionalizmin që duhet në këtë nivel. Edhe me moshën që kam, ne vrapojmë dhe luftojmë”.

Xhaka theksoi gjithashtu rëndësinë e stërvitjes dhe analizës së skuadrës.

“Ka ende shumë gjëra që do të vijnë. Po stërvitemi shumë për goditjet standarde, e dimë sa të rëndësishme janë, dhe ia dolëm sërish sot. Nuk janë vetëm lojtarët, edhe stafi po na ndihmon shumë me analiza dhe mbledhje”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/