Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka zbuluar se ishte Vinicius Junior ai që kërkoi të zëvendësohej në minutat e fundit të finales së Superkupës së Spanjës.
Në minutën e 82-të, trajneri befasoi shumë me vendimin për të larguar brazilianin nga fusha, teksa Vinicius Jr ishte lojtari më i rrezikshëm i “Los Blancos” në humbjen 3-2. Ai shënoi një gol spektakolar, duke hapur shifrat për skuadrën e tij dhe vazhdimisht krijoi mundësi të rrezikshme me shpejtësinë dhe depërtimet nga krahu i majtë.
Me Real Madridin që po humbiste me një gol dhe fundi i ndeshjes që po afrohej, Vinicius Jr dukej lojtari më i mundshëm për të gjetur golin e barazimit ndaj Barcelonës. Megjithatë, ai u zëvendësua nga Franco Mastantuono, një vendim që la të habitur tifozët madrilenë anembanë botës.
“Viniciusi ishte shumë i mirë deri në fund. Ai kërkoi të dilte nga loja për shkak të lodhjes. Kishte shumë lagështi”.
“Ai ishte një kërcënim i vazhdueshëm, goli ishte spektakolar dhe i shkaktoi shumë probleme kundërshtarit në krahun e tij”, shtoi trajneri i Real Madridit.
Numri 7 i madrilenëve e fitoi qartë duelin me Jules Kounde gjatë gjithë ndeshjes, duke e kaluar vazhdimisht qendërmbrojtësin francez me shpejtësinë e tij. Vinicius Jr madje e turpëroi mbrojtësin e Barcelonës, në aksionin që i parapriu golit të tij individual mbresëlënës.
Ky realizim ishte kontributi i 16-të i Vinicius Jr me gol ose asist në 15 finale të zhvilluara me fanellën e Real Madridit, duke barazuar rekordin historik të klubit që mbahej nga Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Ferenc Puskas. Njëkohësisht, goli i dha fund edhe një serie prej 16 ndeshjesh pa shënuar për yllin brazilian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


