Florian Wirtz ka bërë një zgjedhje të papritur kur u pyet për bashkëlojtarin te Liverpooli që e ka impresionuar më shumë që nga transferimi i tij prej 117 milionë eurosh nga Bayer Leverkusen.
Mesfushori gjerman, i cili shkëlqeu në Bundesliga me 57 gola dhe 62 asistime në 197 paraqitje, ishte zemra e skuadrës së Xabi Alonsos që fitoi titullin historik të padiskutueshëm në sezonin 2023/2024.
Wirtz aktualisht ndan dhomën e zhveshjes me emra të mëdhenj si “mbreti egjiptian” Mohamed Salah, kolosi holandez Virgil van Dijk dhe blerja rekord prej 125 milionë paundësh, Alexander Isak.
Megjithatë, kur iu kërkua të veçonte lojtarin që i ka tërhequr më shumë vëmendjen, Wirtz dha një emër që pak kush do ta kishte pritur – Ryan Gravenberch.
Në një intervistë për Sky Sports Germany, ai u shpreh: “Ai që po luan shumë, shumë mirë për momentin është Gravenberch. Po bie në sy në këtë fazë”.
Gravenberch ishte lojtari vendimtar në derbin e qytetit javën e kaluar. Ai shënoi golin e pare në fitoren 2-1 ndaj Evertonit dhe asistoi në mënyrë perfekte golin vendimtar të Hugo Ekitike.
Për të përforcuar edhe më shumë paraqitjen e tij të shkëlqyer, Gravenberch kryesoi statistikat e ndeshjes me pesë ndërhyrje të suksesshme, më shumë se çdo lojtar tjetër në fushë.
Nga ana tjetër, vetë Wirtz e ndoqi atë ndeshje nga pankina, pasi trajneri Slot vendosi ta linte jashtë formacionit titullar.
Liverpooli ia doli të marrë tri pikë ndaj Evertonit, por për Wirtz, ajo ndeshje shërbeu vetëm për të rritur edhe më shumë vendosmërinë për të rikuperuar vendin e tij në skuadër.
Me një udhëtim të vështirë ndaj Crystal Palace këtë të shtunë, 22-vjeçari është i etur të bindë Arne Slotin se meriton të rikthehet në formacionin bazë./Telegrafi/