Në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë sot është realizuar një aksion simbolik në shenjë revolte për situatën e krijuar për mos krijimin e institucioneve tash e 7 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Aty u vendos një instalacion protestues ku 120 emra të deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishin të vendosur në tokë, secili i shënuar me një X të kuq.
Në fund të këtij “shtegu emrash”, një pankartë e madhe lexonte: “120 emra dhe kurrë më nuk duhet me u votuar”, kurse në fillim shkruhej “Walk of shame – sheshi i turpit”.
Ky aksion është një formë proteste qytetare ndaj përfaqësuesve politikë, që sipas organizatorëve të kësaj performance kanë dështuar në përmbushjen e premtimeve, përfaqësimin e denjë të qytetarëve dhe mbrojtjen e interesit publik.
Mes emrave të vendosur në tokë dallohen figura të njohura të skenës politike kosovare, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe deputetët.
Kalimtarët ndaleshin për të lexuar emrat, shumë prej tyre duke shprehur zhgënjim dhe mllef ndaj klasës politike aktuale. /Telegrafi/



