Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për sot, e cila ka vetëm një pikë në rend dite: miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026.
Sipas VV-së, propozim-buxheti është sjellë për votim në mënyrë të njëanshme nga kryetari në largim, Përparim Rama, pa konsultime paraprake me asamblistët apo qytetarët, gjë që ata e cilësojnë si mungesë totale transparence.
Vetëvendosje po ashtu ka përmendur raportin e fundit të Auditimit, i cili sipas tyre ka evidentuar dhjetëra shkelje dhe keqpërdorime me vlera prej miliona eurosh. VV thekson se, edhe pse ky raport është publikuar prej muajsh, pushteti aktual nuk e ka sjellë për diskutim në Kuvend, duke shmangur ballafaqimin me gjetjet, përcjell Telegrafi.
Asamblistët e VV-së theksuan gjithashtu se në projektbuxhet janë përfshirë edhe projekte që tashmë janë objekt hetimesh nga organet e drejtësisë, si dhe projekte të fryra e të paarsyetuara. Sipas tyre, buxheti i propozuar tenton të fshehë skandalet e deritashme dhe rrezikon të krijojë skandale të reja.
“Buxheti i Prishtinës duhet të jetë instrument zhvillimi për qytetarët, jo mjet për mbijetesën politike të Përparim Ramës. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e keqqeverisjes dhe nuk do të japim votë për legalizimin e mashtrimeve politike”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
VV e përmbyll qëndrimin e saj duke theksuar se një pushtet që po largohet mes skandaleve nuk ka as të drejtë e as legjitimitet të vendosë për buxhetin e ardhshëm të kryeqytetit./Telegrafi/