Lëvizja Vetëvendosje ka hapur të premten fushatën për zgjedhjet lokale. Kryetari i partisë, Albin Kurti, nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, iu bëri thirrje qytetarëve që të besojnë në vizionin e tyre për të zgjeruar modelin e qeverisjes qendrore edhe në nivelin komunal.
“Ndryshimi nuk mund të ndalet. Kundërshtarët kanë provuar ta pengojnë, por kanë dështuar dhe do të dështojnë sërish. Jo pse jemi të fortë, por sepse jemi të drejtë; jo pse jemi të ashpër, por sepse jemi të arsyeshëm. Ne duam një Kosovë që zhvillohet me drejtësi dhe funksionon për popullin e vet.”, tha Kurti.
Ai shtoi se qytetarët janë lodhur nga “komunat dembele” dhe se tash është koha për modernizim, mirëqenie, pastërti dhe siguri.
“Paramendoni sa investime të mira do të bëheshin sikur qeverisjet lokale të udhëhiqeshin ashtu si qeverisja qendrore. Duam kryetarë që punojnë ditë e natë, e jo që ankohen orë e çast”, tha tutje ai.
“Ne se bashku e kemi shpëtuar Kosovën nga prangat e korrupsionit dhe tendencat për ndarje. Do ta çlirojmë secilën komunë nga hajnia e partive të tjera. Subjekti që zhvillimin nuk e sheh të betoni i vrazhdët por të gjelbërimi. Ne kemi nevojë për kryetarë komunash që bashkëpunojnë me qeverinë. Shikoni arritjet në komunat ku ka drejtuar VV-ja. Prishtina që do të ketë për kryetar një nga ministrat më të suksesshëm që Kosova ka patur ndonjëherë, Hajrullah Çekun”, tha Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!