Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka kërkuar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se procesi aktual nuk ka prodhuar rezultate konkrete.
Kjo kërkesë u bë gjatë një takimi gati dyorësh që Martin Vulaj, president i AARC-së dhe Vehbi Bajrami, ish-drejtor shërbimi në Zërin e Amerikës dhe anëtari më i ri i bordit, zhvilluan me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), ku në fokus ishte pikërisht ecuria e dialogut dhe perspektiva e tij.
Vetë Vulaj, në një bisedë në Edicionin Special të Klan Kosova, tregoi në detaje se çfarë u diskutua në këtë takim.
“Takimi ishte vazhdimësi e takimeve që i kemi në DASh. Na erdhi shumë mirë që zyrtari i ri ishte shumë i informuar dhe shumë i përgatitur. Biseda ka qenë e gjerë dhe e gjatë, dhe ka pasur edhe zyrtarë tjerë në dhomë. Sa për Kosovën, kemi diskutuar një herë çështjen e sigurisë, gjithmonë fokusohemi në zonat ku i kemi interesat e përbashkëta, dhe siguria e Kosovës është një nga ato”.
“Kemi pyetur për mundësitë e Kosovës për anëtarësim në NATO, dhe këta janë shumë të lumtur me përgatitjet teknike të Ushtrisë së Kosovës, megjithëse problemet dhe barrierat politike, për shkak të mos-njohjes nga 4 anëtarët e NATO-s janë shumë të theksuara dhe vështirë të tejkalueshme, megjithëse kjo administratë i ka sytë tjetërkund. E keni parë që nuk i jep shumë rëndësi zgjerimit të NATO-s e as të BE-së. Interesi më shumë është për marrëdhëniet bilaterale, te interesat e sigurisë bilaterale dhe interesat ekonomike bilaterale”, deklaroi Vulaj, raporton Klankosova.tv.
Ai theksoi se meqë dialogu i ndërmjetësuar nga BE nuk po ka sukses, kryesisht për shkak të Serbisë, “e kam rivërtetuar te Departamenti i Shtetit se politika e ShBA-së ende qëndron te njohja reciproke, ka qenë politikë që e ka shpallur presidenti Trump në mandatin e parë, është adaptuar nga presidenti Biden, dhe qëndron ende”.
“Ua theksova se kjo është shumë e rëndësishme që kjo politikë të theksohet më shumë publikisht, që t’i japë besim popullit të Kosovës, jo vetëm në këtë proces, dhe ShBA duhet të jetë epiqendra e dialogut, nëse duam të ketë sukses”, u shpreh më tej president i AARC-së.
Ai tha se nuk mund të dihet ende se cili do të jetë epilogu i kërkesës së AARC-së.
Megjithatë, Vulaj tha se ata e kanë pranuar se ka zgjatur tepër shumë me shumë pak rezultate dhe se dialogu ka nevojë për një dinamikë të re. /Klankosova.tv


