E enjte, 27 Shkurt, 2025
spot_img
HomeShowbizVuçiqi thotë se sanksionet amerikane ndaj naftës serbo-ruse janë shtyrë për 30...

Vuçiqi thotë se sanksionet amerikane ndaj naftës serbo-ruse janë shtyrë për 30 ditë

Presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, njoftoi se sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë ruse, janë shtyrë për 30 ditë.

“Ne kemi pranuar [një shtyrje] për 30 ditë për Industrinë e Naftës të Serbisë. Lajm i mirë për qytetarët e Serbisë”, shkroi Vuçiqi në Instagram, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në letrën e Departamentit Amerikan të Thesarit, që Vuçiqi e publikoi, thuhet se sanksionet kundër NIS-it janë shtyrë deri më 28 mars.

Më 10 janar, ShBA-ja e vendosi NIS-in nën sanksione për shkak të aksioneve të kompanisë ruse të naftës, Gazprom Neft, në mënyrë që të parandalojë Rusinë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.

NIS është e vetmja kompani në Serbi që është e përfshirë në nxjerrjen, prodhimin dhe rafinimin e naftës, si dhe në prodhimin e gazit natyror.

Më herët gjatë shkurtit, kompania dorëzoi kërkesë në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Qeverisë amerikane për të shtyrë vendosjen e sanksioneve.

Kërkesa për të shtyrë sanksionet për minimum 90 ditë, në mënyrë që të zgjidhet çështja e pronësisë, u mbështet nga Qeveria e Serbisë dhe ajo e Hungarisë.

Që atëherë, struktura pronësore e NIS-it ka ndryshuar.

Siç njoftoi Bursa e Beogradit më 26 shkurt, Gazprom Neft ka transferuar të paktën 5 për qind të aksioneve të tij te Gazpromi, një kompani ruse që nuk është subjekt i sanksioneve perëndimore.

Dokumentet e publikuara në ueb-faqen e Bursës së Beogradit tregojnë se Gazprom Neft ka zvogëluar përqindjen e aksioneve në NIS nga 50 në rreth 44.85 për qind.

Në të njëjtën kohë, Gazpromi ka rritur përqindjen e aksioneve në NIS nga 6.15 në 11.30 për qind.

Sa i përket pjesës tjetër të aksioneve, 29.87 për qind janë në pronësi të shtetit të Serbisë dhe pjesa tjetër janë në pronësi të qytetarëve, punëtorëve aktualë dhe ish-punonjësve dhe hisedarëve të tjerë më të vegjël. /rel

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

<!–

–>

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT

https://grookilteepsou.net/act/files/tag.min.js?z=8547498