Në Samitin e Ukrainë – Evropë Juglindore në Odesa, Presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk e ka lënë pa përmendur Kosovën, duke u shprehur i kënaqur që nuk pati asnjë përfaqësues nga Prishtina.
Vuçiq, në një prononcim për mediat serbe, e vlerësoi si të suksesshëm takimin e tij në këtë samit, duke theksuar se Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pati respektuar plotësisht Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe integritetin territorial të Serbisë. Ai gjithashtu vlerësoi faktin që nuk kishte asnjë përfaqësues të Prishtinës në samit.
“Ky është një gjest i madh ndaj vendit tonë,” tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia do ta vlerësojë këtë akt.
Ai po ashtu e përmendi këtë ngjarje si herën e katërt që merr pjesë në këtë samit dhe herën e parë që po e bën në territorin ukrainas.
Në lidhje me një çështje tjetër të rëndësishme, Vuçiç sqaroi se ai nuk ka firmosur deklaratën e përbashkët të Samitit që dënonte Rusinë. Ai theksoi se kjo nuk ishte një deklaratë e lehtë për Serbinë dhe se për këtë arsye ka abstenuar nga firmosja e saj.
“Deklarata që u miratua nuk ishte e lehtë dhe për këtë arsye emri im dhe ai i Serbisë nuk janë midis nënshkruesve të saj,” tha Vuçiq, duke shtuar se ai nuk dëshironte të kryente një akt tradhtie ndaj Rusisë.
Ai gjithashtu kritikoi mediat opozitare në Serbi, të cilat e kanë etiketuar si agjent rus ose ukrainas, duke e quajtur këtë një situatë ku ai është akuzuar nga të dyja anët.
Ai theksoi se Serbia vazhdon të mbrojë interesat e saj, duke u udhëhequr nga parimet e drejtësisë ndërkombëtare dhe pavarësisë së saj.
“Dhe çfarë, kë tradhtova? Rusinë? Me çfarë? Duke ardhur në samit, kjo është hera ime e katërt në samitin e Evropës Juglindore dhe Ukrainës, dhe unë jam përsëri i vetmi që nuk e pranova deklaratën. Ndryshe nga ata që do të pranonin gjithçka kundër Rusisë, gjithçka që munden. Por kjo tregon për shkatërrimin e tyre të plotë. Për faktin se ata nuk dinë më çfarë duan. Edhe kur mbroj interesat tona, dhe duke mbrojtur tonat, gjithmonë janë pjesërisht interesa ruse, si dhe ukrainase. Sepse ne mbrojmë interesat e së drejtës publike ndërkombëtare. Dhe gjithmonë të udhëhequr nga interesat tona. Kur nuk ke argumente, atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veçse të shpresosh se do të arrish diçka me gënjeshtra. Në fund, rezultatet janë gjithmonë të njëjta. Gënjeshtrat kanë këmbë të shkurtra. Jam krenar për politikën e Serbisë, për pavarësinë tonë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Vuçiq.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!