Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve me inicialet: F.R., dhe J.M., nga Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.R., më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e restaurantit “Fron Palace”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, gjatë një ceremonie martesore, me dashje dhe paramendim, me qëllim hakmarrjeje për motive të pretenduara familjare të pabazuara dhe të pakonfirmuara juridikisht, në prani të dhjetëra personave përfshirë të mitur, me armë zyrtare automatike të policisë, me dashje dhe qëllim të privimit nga jeta, me breshëri plumba shtën në drejtim të viktimës S.S., duke e privuar nga jeta, ku, si pasojë e të shtënave është rrezikuar seriozisht edhe siguria e personave tjerë të pranishëm në atë moment, me këtë veprim kreu veprën penale të ”Vrasjes së rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.8 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, i pandehuri J.M., më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, në parkingun e oborrit të restaurantit “Fron Palace”, gjatë një ceremonie martesore me dashje ka ndihmuar të pandehurin F.R., në privimin nga jeta të viktimës S.S., ashtu që i pajisur me mjet të forte- sqepar, ka mbrojtur perimetrin e sulmit dhe ka parandaluar çdo ndërhyrje, në mënyrë që i pandehuri F,R., të realizonte pa pengesë veprën penale të vrasjes së rëndë, me këtë veprim në ndihmë kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.8 dhe 1.11, lidhur me nenin 33 të KPRK-së.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.
The post Vrasja për hakmarrje, aktakuzë ndaj policit Ramadani në Ferizaj appeared first on Klan Kosova.