Është një fshat i vogël dhe pak i njohur në veri të Kosovës, që quhet Varagë. Për të flitet vetëm një herë në vit, çdo 26 korrik.
Në këtë ditë të vitit 2011, në Varagë u vra polici Enver Zymberi, pjesë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, gjatë një aksioni për marrjen e kontrollit në një nga pikat kufitare në veri të vendit. Atëherë 32-vjeçar, Zymberi u qëllua me snajper nga strukturat kriminale serbe që kishin ngritur barrikada në rrugë.
Në përvjetorin e 14-të të rënies së tij, familjarët vendosën një tendë në fshatin Dubovc të Vushtrrisë për të pritur mysafirë e për të kujtuar Enverin. Dhembjes së tyre i shtohet edhe fakti se, edhe pas kaq vitesh, askush nuk është dënuar për vrasjen.
Edhe pse nuk i kontaktoi personalisht, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri homazhe pranë varrit të Enver Zymberit, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, për të vijuar më pas vizitën në vendin ku polici ishte sulmuar.
Përpara kësaj vizite, Kurti ndaloi edhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku – polici që u vra në sulmin terrorist në Banjskë – si dhe vizitoi familjen e tij.
Krahas këtyre dy policëve, gjatë ditës së sotme u përkujtuan edhe 22 zyrtarë të tjerë policorë të rënë në detyrë që nga themelimi i Policisë së Kosovës. Në nder të tyre, pranë pllakës përkujtimore në Prishtinë u vendosën lule.
Në kuadër të kësaj dite memoriale, u vizitua edhe familja e Muhamet Likës – një tjetër polic që humbi jetën në shërbim të vendit./Klankosova.tv
The post Vrasja e Zymerit, familja e zhgënjyer, nuk u dënua askush (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.