Votues nga komuna të tjera në Junik? Prokuroria autorizon nisjen e hetimeve pas pretendimeve nga AAK-ja

Votues nga komuna të tjera në Junik? Prokuroria autorizon nisjen e hetimeve pas pretendimeve nga AAK-ja

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar pas dyshimeve për manipulime në procesin zgjedhor në Junik.

Deputeti i kësaj partie Daut Haradinaj bëri të ditur se në këtë komunë kanë votuar edhe qytetarë të komunave tjera, duke kërkuar hetim nga Prokuroria.


Lidhur me këto pretendime, Telegrafi ka pyetur Prokurorinë Themelore në Pejë nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim hetimor.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi ka bërë të ditur se kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës ka ndërmarrë veprime zyrtare.

“Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të komunës se Junikut, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj Lumturije Vuçetaj ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda për ndërmarrjen e te gjitha veprimeve të nevojshme”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.

Ndryshe edhe anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar për këtë rast.

Sipas Nitajt, bëhet fjalë për qindra raste që “nuk mund të arsyetohen me asnjë kriter”, ndërsa disa komuna tashmë e kanë ngritur alarmin për këtë dukuri.

“Rasti më eklatant duket të jetë komuna e vogël e Junikut. Kandidati për kryetar i kësaj komune, Agron Kuqi, në një ankesë drejtuar KQZ-së, flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve nga persona që nuk kanë as adresë, as mbiemër, as vende pune e as ndonjë lidhje tjetër me këtë komunë”, ka shkruar Nitaj. /Telegrafi/