Në episodin e fundit të “Përballje Podcast” të përkrahur nga kompania e derivateve EXFIS, ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë një analizë të detajuar të rezultateve të zgjedhjeve lokale në kryeqytet, duke theksuar se garën e vërtetë nuk e përcaktojnë strukturat partiake, por “vota neutrale” – elektorati i heshtur që vendos në momentin e fundit.
“Nuk jam befasu nga rezultati, sepse e kam parë që do të jetë një garë e ngushtë mes tre kandidatëve. Por ajo që shumëkush s’e përmend është se një pjesë e madhe e qytetarëve e marrin vendimin vonë, njerëzit që nuk janë aktivë as nëpër media, as në rrjete sociale. Janë ata që i quaj masë anonime, e cila në fund vendos”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, këta votues të qetë janë njerëzit që nuk shihen në tubime politike apo debate publike, por që me qetësi krijojnë bindjen e tyre dhe dalin të votojnë pa u varur nga ndikimet e strukturave partiake.
“Ata nuk janë të zhurmshëm nëpër Facebook, nuk dalin në media, por e përcjellin fushatën me vëmendje dhe vendosin në heshtje. Janë pjesë e madhe e votës në Prishtinë”, theksoi ai.
Strukturat partiake, por edhe votuesit e lirë
Ahmeti vlerëson se kandidati që arrin të balancojë mbështetjen e strukturës partiake me votën neutrale, fiton garën në Prishtinë.
Ai përmendi se Uran Ismaili arriti të marrë një pjesë të konsiderueshme të kësaj vote, por jo aq sa të mposhtë strukturat e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
– YouTube www.youtube.com
“Uran Ismaili e ka pasë një pjesë të madhe të votës neutrale, por nuk ka qenë e mjaftueshme për të mposhtur strukturat më të fuqishme të LDK-së dhe Vetëvendosjes”, deklaroi ai.
Sipas Ahmetit, rezultatet tregojnë se listat për Asamblenë Komunale kanë ndikuar shumë në shpërndarjen e votës, ku kandidatët me profil më publik dhe rreth më të gjerë kanë marrë mbështetje më të madhe.
Lidhja për Prishtinën dhe surprizat lokale
Një prej befasive pozitive, sipas tij, ka qenë subjekti “Lidhja për Prishtinën”, i udhëhequr nga Fehmi Kupina, i cili ka arritur mbi 7 për qind të votave, ndonëse pa kandidat për kryetar komune.
“Befasia e këndshme për mua ka qenë ‘Lidhja për Prishtinën’. Kanë arritur një rezultat të suksesshëm për dikë që nuk kishte kandidat për kryetar. Janë njerëz të rinj me energji dhe rreth të fortë qytetar”, ka thënë Ahmeti.
Ridvan Slivova
Balotazhi- gara më e ngushtë që ka parë Prishtina
Duke folur për balotazhin mes Përparim Ramës dhe Hajrullah Çekut, Ahmeti paralajmëroi një garë shumë të ngushtë, ku çdo votë mund të bëjë diferencën.
“Kjo do të jetë një garë interesante dhe shumë e ngushtë. Nuk mendoj që ndonjëri prej kandidatëve e ka të sigurt fitoren. Shumë njerëz që nuk janë as me LDK-në, as me VV-në, do të përcaktojnë rezultatin përfundimtar”, tha ai.
Ahmeti theksoi se votuesit e Uran Ismailit mund të jenë faktor kyç në raundin e dytë, pasi përfaqësojnë pikërisht atë elektorat të lirë që shpesh e vendos balancën.
“Uran Ismaili s’e fitoi Prishtinën, por votuesit e tij mund ta vendosin se kush do ta udhëheqë. Janë njerëz që kërkojnë ndryshim, pa lidhje me partitë tradicionale”, shtoi ai.
Në këtë episod të “Përballje Podcast”, Shpend Ahmeti flet edhe për tema tjera politike e ekonimike./Telegrafi/.