Kanë kaluar shtatë ditë që kur Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka pranuar kërkesën e dhjetë deputetëve të Listës Serbe, lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Në njoftimin e Gjykatës thuhej se seanca konstituive, e cila kishte nisur më 15 prill, nuk kishte përfunduar dhe se ajo duhet të përmbyllet brenda 12 ditësh nga shpallja e aktgjykimit, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, Kushtetuesja që nga data 30 shtator ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë të asaj date, dhe për rrjedhojë, afati kohor për përfundimin e seancës konstituive nuk ka hyrë ende në fuqi.
Telegrafi ka dërguar pyetje në Gjykatën Kushtetuese lidhur me publikimin e këtij aktgjykimi, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Në anën tjetër, vazhdon të jetë në fuqi masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi më 5 shtator 2025 dhe do të qëndrojë aktive deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit përfundimtar.
Që nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, vendi ka mbetur pa institucione të reja të formuara.
Fillimisht, procesi ngeci te emri i kryeparlamentares së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Subjektet e tjera politike nuk e votuan Albulena Haxhiun për këtë pozitë. Më pas, nga kjo parti u propozua Dimal Basha për kryeparlamentar, i cili arriti të zgjidhet kryetar i Kuvendit, me mbështetjen edhe të PDK-së.
Megjithatë, procesi sërish ngeci, pasi votimi për nënkryetarët nga komunitetet u zhvillua veçmas, dhe për nënkryetarin nga komuniteti serb nuk pati vota të mjaftueshme.
Analistët kanë vlerësuar se vendit po i shkaktohet dëm për shkak të mungesës së institucioneve të reja.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese më 30 shtator:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 shtator 2025 vendosi përkitazi me kërkesën KO265/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës”, si dhe vendimeve të nxjerra në kuadër të Seancës Konstituive më 26 dhe 28 gusht 2025, të parashtruar nga Igor Simic dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, njëzëri, ka vendosur:
TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;
TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;
TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.