Von der Leyen akuzon Rusinë: Kërkon të përçajë BE-në

news image

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar Rusinë për përpjekje të qëllimshme për të përçarë Bashkimin Europian, duke u fshehur pas dronëve misteriozë që kanë shkelur hapësirën ajrore të unionit gjatë javëve të fundit.

“Ky nuk është ngacmim i rastësishëm. Është një fushatë për të shqetësuar qytetarët tanë, për të vënë në provë vendosmërinë tonë, për të përçarë bashkimin tonë dhe për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën. Është luftë hibride dhe duhet ta marrim shumë seriozisht,” deklaroi Von der Leyen.

Shefja e ekzekutivit europian bëri thirrje për qasje dhe mënyra inovative për t’u përballur me kërcënimet e vazhdueshme që, sipas saj, vijnë nga Moska, duke theksuar se mbrojtja tradicionale nuk është më e mjaftueshme.

“Kjo ka të bëjë me softuerë për dronë, pjesë këmbimi për tubacione, ekipe të reagimit të shpejtë kibernetik dhe me fushata informimi publik për të përhapur ndërgjegjësimin,” shtoi ajo.

Von der Leyen mbajti fjalimin e saj në Parlamentin Europian gjatë debatit për mocionin e ri të mosbesimit ndaj saj, i cili pritet të votohet të enjten. Mocioni është kërkuar nga eurodeputetët e së majtës dhe të djathtës radikale, të cilët e akuzojnë atë për mungesë transparence, politika të dështuara në menaxhimin e migracionit dhe humbje të konkurrueshmërisë së Bashkimit Europian në tregjet globale, si pasojë e politikës së klimës që ajo mbështet.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/