Teksa numri i viktimave nga politikat e urisë nga Izraeli në Rripin e Gazës rritet çdo ditë, dyvjeçari palestinez Imad Musab Abu Freih po lufton për jetën e tij në Spitalin Al-Aksa në Deir Belah.
Ai ka humbur më shumë se gjysmën e peshës trupore për shkak të kequshqyerjes së rëndë.
Gjendja e tij pasqyron vuajtjet e mijëra fëmijëve në Gaza që janë shtyrë drejt kushteve kritike shëndetësore nga uria në rritje, ndërsa mjekët paralajmërojnë se uria dhe kequshqyerja po përhapen me shpejtësi në gjithë territorin.
Agjencia e fëmijëve e OKB-së tha se kequshqyerja te fëmijët në Rripin e Gazës ka arritur nivele rekord në gusht, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i vazhdueshëm ushtarak i Izraelit po i shkëput fëmijët nga trajtimi shpëtimtar.
“Përqindja e fëmijëve të identifikuar si të kequshqyer rëndë në kontrollet shëndetësore nëpër Gaza u rrit në 13,5% në gusht, nga 8,3% në korrik. Në Qytetin e Gazës, ku muajin e kaluar u konfirmua zyrtarisht gjendja e urisë, përqindja e fëmijëve të pranuar me kequshqyerje ishte edhe më e lartë – 19%, nga 16% në korrik”, thuhej në deklaratën e UNICEF.
Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF, Catherine Russell, raportoi gjithashtu se “në gusht, 1 në 5 fëmijë në qytetin e Gazës u diagnostikua me kequshqyerje akute dhe kishte nevojë për mbështetjen dhe trajtimin ushqimor shpëtimtar që ofron UNICEF”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 413 persona persona kanë humbur jetën nga uria që nga tetori i vitit 2023, përfshirë 143 fëmijë.
Që prej 2 marsit, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke e shtyrë popullsinë prej 2,4 milion banorësh drejt urisë së përgjithshme. /AA/