VLEN dhe AKI vazhdojnë me fushatën për zgjedhjet lokale

VLEN dhe AKI vazhdojnë me fushatën për zgjedhjet lokale

Fushata për zgjedhjet lokale ka nisur dje (29 shtator), ndërsa sot koalicionet kanë vazhduar me aktivitetet e tyre.
Koalicioni VLEN sot ka mbajtur konventën promovuese në Shkup, ku ka prezantuar kandidatët e saj për kryetar komunash në zgjedhjet e 19 tetorit.

Izet Mexhiti i cili është edhe kandidat për kryetar të Çairit, në fjalimin e tij, foli edhe për deklaratat e Ali Ahmetit.


“Ne nuk jemi zagar, ne jemi shqiptar; jo, nuk jemi as hyzmeqarë, as gënjeshtarë. Jemi njerëz me dinjitet. Sjellja dhe qëndrimet e tij nuk lidhen me interesa të fshehta apo koncesione që dëmtojnë komunitetin. Nuk ua kthejmë prej burrnisë, jo prej tutës. Shkupjani nuk tutet, kur e kërkon nevoja, e braktis qeverinë e del në mejdan”.

“Jo, nuk jemi tradhtarë; nuk e mbështesim Open Balkanin, nuk e njohim Daka Davidoviqin, nuk i kemi shitur akcione Bankës Serbe. Nuk i kemi sjellur kazinotë serbo-ruse në vendbanimet shqiptare”, tha Mexhiti.

Ndërsa kryetari i Tetovës Bilall Kasami, tha se kërkon edhe një mandat për ta vazhduar zhvillimin e Tetovës.

“Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që na e keni dhënë dhe jemi të vendosur që bashkë me ju ta çojmë betejën deri në fund. Ashtu siç e çliruam pushtetin qendror nga keqpërdorimi, keqmenaxhimi, vjedhja dhe abuzimi, tash është koha t’i çlirojmë edhe komunat tona”, deklaroi Kasami.

“Vij nga një qytet që paralajmëroi zgjimin e shqiptarëve që në vitin 2021. Atëherë ishim më të dobët politikisht dhe më pak në numër, por me plot energji dhe dëshirë për të bërë gjëra të mëdha”, shtoi Kasami.

Edhe kandidatët e koalicionit AKI sot kanë pasur aktivitete në kuadër të fushatës zgjedhore.

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni AKI, Bujar Osmani, sot në një konferencë për media paralajmëroi kthesë radikale në menaxhimin e komunës nëse ai zgjidhet kryetar.

“Korrupsioni është rrënja e kalbur e të gjitha problemeve në Çair. Më 19 tetor ajo rrënjë do të pritet dhe do të shkatërrohet. Nuk do të lejoj të keqpërdoret as edhe një denar nga paratë e qytetarëve. Kjo nuk është e drejtë, kjo nuk është e ndershme, kjo nuk është vizion për të ardhmen,” theksoi Osmani.

Në fjalimin e tij, ai prezantoi planin “Syri i Qytetarit” të cilin e vlerësoi si mekanizmin më të fuqishëm kundër korrupsionit. Bëhet fjalë për një set prej katër reformash antikorrupsion të cilat, sipas tij, do ta shndërrojnë Çairin në komunën më transparente në shtet.

“Plani përfshin hapjen publike të të gjitha tenderëve me transmetim direkt dhe me video të qasshme në internet, monitorim të pavarur nga ekspertë dhe organizata joqeveritare të specializuara për antikorrupsion, arkë publike përmes së cilës çdo qytetar me një klikim do të mund t’i ndjekë të hyrat dhe shpenzimet e komunës në kohë reale dhe kontroll automatik me inteligjencë artificiale që do ta eliminojë faktorin njerëzor në keqpërdorime”.

“Çairi do të jetë komuna e parë në rajon që do të zbatojë praktika të tilla evropiane. Mjaft më me marrëveshje të fshehta dhe keqpërdorime. Nga 19 tetori, çdo denar do të shkojë për qytetarët”, tha Osmani.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i cili është kandidat edhe për një mandat tjetër, ka pritur sot në takim ambasadorin e Turqisë në Maqedoninë e Veriut, shkëlqesinë e tij Fatih Ulusoy.

Limani e cilësoi këtë vizitë si një nder dhe gëzim, duke theksuar se biseduan për mundësi të shumta bashkëpunimi me Turqinë.
“Nder dhe gëzim të prisja sot ambasadorin e Turqisë, Shkëlqesinë e tij Fatih Ulusoy. Folëm për bashkëpunime të shumta, të cilat janë të natyrshme me një shtet vëlla si Turqia”, u shpreh Limani./Telegrafi/