Vitamina D mund të bëhet helm: Ja cilat simptoma nuk duhet të neglizhoni

Vitamina D mund të bëhet helm: Ja cilat simptoma nuk duhet të neglizhoni

Ekspertët paralajmërojnë: dozat e larta të vitaminës D nga suplementet mund të jenë të rrezikshme, ndaj analiza e gjakut është thelbësore përpara përdorimit

Vitamina D është thelbësore për funksionimin e duhur të kockave, muskujve, zemrës dhe sistemit imunitar, por marrja e saj në sasi të tepruara mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore. Shumë njerëz e përdorin si suplement ushqimor, sidomos gjatë muajve të dimrit kur ka më pak rreze dielli, por është e rëndësishme të respektohen dozat e rekomanduara.


Sasia e rekomanduar varet nga mosha – nga 25 mikrogramë (1.000 IU) për foshnjat, deri në 100 mikrogramë (4.000 IU) për të rriturit. Ekspertët theksojnë se këto vlera lidhen me marrjen totale ditore nga të gjitha burimet – ushqimi, pijet dhe rrezet e diellit dhe jo vetëm nga suplementet.

Sipas specialistëve, vitamina D është e tretshme në yndyra dhe vepron si hormon, prandaj qëndron gjatë në trup.

“Nivelet e larta të vitaminës D mund të çojnë në probleme shëndetësore si hiperkalcemia,” thotë dietologia e regjistruar Maria Laura Haddad-Garcia për EatingWell. Helmimi zakonisht shfaqet kur konsumohen doza shumë të larta suplementesh për disa muaj me radhë.

Studimet kanë treguar se toksiciteti shfaqet më shpesh te personat që përpiqen të korrigjojnë mungesën e vitaminës D duke marrë shumë më tepër se sa rekomandohet. Është e rëndësishme të theksohet se helmimi nuk ndodh nga ekspozimi në diell, pasi trupi natyrshëm kufizon prodhimin e vitaminës D, transmeton Telegrafi.

shutterstock

Shenjat paralajmëruese të helmimit nga vitamina D

  • Nauze dhe të vjella
  • Dobësi muskulore
  • Konfuzion dhe dhimbje
  • Humbje oreksi
  • Dehidrim
  • Urinim dhe etje e shtuar
  • Gurë në veshka

Nëse këto simptoma injorohen, helmimi nga vitamina D mund të çojë në dështim të veshkave, probleme kardiake, madje edhe vdekje.

Kush është më i rrezikuar?

  • Personat që marrin suplemente pa këshillë mjeku.
  • Ata me sëmundje kronike të veshkave.
  • Personat që përdorin kombinime të larta suplementesh vitaminë D + kalcium, gjë që rrit rrezikun për hiperkalceminë dhe gurë në veshka.

Si të veproni në mënyrë të sigurt

Ekspertët këshillojnë që:

  • Para fillimit të suplementimit, të bëni analizë gjaku për nivelin e vitaminës D.
  • Të përdorni suplemente vetëm nëse është e nevojshme dhe në dozën e rekomanduar nga mjeku.
  • Të mos i tejkaloni kurrë kufijtë ditorë të lejuar.

▪ Të kujtoni se burimet më të shëndetshme mbeten ekspozimi i moderuar në diell dhe ushqimet natyrale si e verdha e vezës, kërpudhat dhe peshku i yndyrshëm. /Telegrafi/