Vinicius Junior mund të përballet me një ndëshkim ligjor pasi është akuzuar për ‘shqetësime’ apo prishje të rendit publik në vendlindjen e tij, Brazil. 25-vjeçari u paralajmërua nga policia natën e ngjarjes.
Në korrikun e verës së kaluar, pas eliminimit të Real Madridit nga Kupa e Botës për Klube, Vinicius u kthye në Brazil, si zakonisht, për të kaluar disa ditë pushimi.
Gjatë kësaj periudhe, ai organizoi një festë luksoze për të festuar ditëlindjen e 25-të, dhe kjo mund t’i ketë sjellë telashe.
Sipas gazetës spanjolle Marca, Vinicius është akuzuar për prishje të rendit publik nga një prej fqinjëve të tij.
Mbrëmjen e ngjarjes, policia ushtarake u thirr në vendin e ngjarjes në Rio de Janeiro dhe i kërkoi Viniciusit të ulte volumin e muzikës.
Megjithatë, pasi policia u largua, volumi i muzikës dhe zhurmat nga festa që zgjati nga 19 korriku deri në orët e para të 21 korrikut, ishin sërish ‘jashtëzakonisht të larta’.
Nëse Vinicius shpallet fajtor, ai mund të përballet me një dënim prej 15 ditësh deri në tre muaj burg, ndonëse shumë më e mundshme është që ai të gjobitet.
Sipas gazetës me qendër në Madrid, Vinicius kishte rreth 500 të ftuar në festë dhe kishte sjellë atraksione të panairit për ngjarjen.
Këngëtari i njohur Travis Scott performoi gjithashtu dhe pati fishekzjarrë, gjë që mund të ketë kontribuar në zhurmën e madhe./Telegrafi/