Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po merr pjesë në samitin e liderëve evropianë në Kopenhagen, përsëri pati problem me uljen.
Në rrjetet sociale po qarkullon një video e presidentit të Serbisë ku shihet se si hyn në dhomën ku mbahet samiti dhe ku të gjithë të pranishmit janë ulur, përveç tij.
Në vend që të ulej në vendin e tij, ai shikonte rreth e rrotull sikur nuk kishte kuptuar as ku ishte futur e as ku ishte vendi i tij, më saktë ku duhej të ulej.
Ndërsa rrotullohej i hutuar në dhomë duke kërkuar me shikim dikë që t’i ndihmojë, pasi askush nuk iu afrua për ta ndihmuar, ai u përpoq të ulej në një karrige që i takonte dikujt tjetër.
Megjithatë, menjëherë iu bë e qartë se nuk mund të ulej aty sepse vendi ishte zënë. Nga organizata e samitit duket se nuk e dinin çfarë të bënin me të.
Më në fund, dikush u kujtua dhe i solli një karrige me tavolinë që ngjante me bankat shkollore ku ulen nxënësit në shkollat evropiane.
Vuçiq përkul pjesën për të shkruar dhe qëndroi i ulur në karrigen që e largoi pak nga tavolina, sepse nuk kishte vend tjetër.
Video e kësaj situate u publikua nga Borko Stefanoviq, jurist dhe diplomat serb.
“Turp i vazhdueshëm dhe dështim i pabesueshëm i protokollit tonë. Nuk është aspak qesharake sepse ata kanë drejtuar dhe shkatërruar Serbinë për 13 vjet”, shkroi ai në X (Twitter). /Telegrafi/