Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj sot në tri raste të ndara ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj tre shoferëve që kanë kryer shkelje të rënda të rregullave të trafikut.
Kontrollet janë realizuar përmes veturës inteligjente të policisë, e pajisur me radarë të avancuar që monitoron rrugën në 360 shkallë, lexon targa dhe regjistron kundërvajtjet në kohë reale, transmeton KosovaPress.
Rreth orës 17:30, në rrugën Ferizaj–Varosh–Gërlicë, ku kufizimi i shpejtësisë është 60 kilometra në orë, shoferët A.T. (20) me veturën VW Golf dhe E.Sh. (19) me furgonin Mercedes me targa vendore, u ndaluan duke lëvizur me shpejtësi 113 kilometra në orë, përkatësisht 115 kilometra në orë.
Të dy shoferët janë ndëshkuar me nga 300 euro gjobë, 3 pikë negative dhe ndalim të drejtimit për 3 muaj.
Rreth orës 20:00, në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, në fshatin Nikaj, në zonën me kufizim 80 kilometra në orë, u ndalua shoferja L.B. (47), e cila po drejtonte veturën Audi Q7 me shpejtësi 153 kilometra në orë. Asaj i është shqiptuar 300 euro gjobë, 3 pikë negative dhe ndalim i drejtimit për 3 muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon te të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e komunikacionit, duke paralajmëruar se kontrollet me veturën inteligjente do të vazhdojnë për të identifikuar shkeljet dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.