Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të mbahet të premten, më 17 shtator, në orën 17:00, një protestë gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për qytetarët që do të protestojnë të premten në Tiranë, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në një reagim në Facebook, LVV thekson se ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale që nga fillimi dhe kërkon që ata që kanë lobuar për formimin e saj të shprehin pendesë.
Shembull i qartë sipas Vetëvendosjes është kryeministri shqiptar, Edi Rama.
“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët që të votonin pro themelimit të Gjykatës Speciale”, shkruan LVV.
Sipas LVV-së, Shqipëria, si shtet anëtar i OKB-së, NATO-s dhe Këshillit të Evropës, ka mundësinë që këtë çështje ta ngritë në forume ndërkombëtare, dhe ironizon se protesta në sheshin “Skënderbe” nuk zëvendëson përgjegjësitë institucionale.
“Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë kanë përgjegjësi që këtë çështje ta ngrejnë aty ku flitet dhe vendoset për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbe’ në Tiranë”, përfundon reagimi i LVV-së.