Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit lidhur me ankesën e Listës Serbe për nënkryetarin e Kuvendit, duke e akuzuar Gjykatën Kushtetuese për zgjerim të kompetencës përtej mandatit kushtetues.
Partia e Albin Kurtit thotë se Kushtetuesja brenda katër muajsh, për të njëjtën çështje, sipas tyre ka ndërruar jurisprudencën pa asnjë ndryshim normativ apo faktik, transmeton Klankosova.tv
“Parimi i sigurisë juridike është element strukturor i shtetit demokratik dhe kusht sine qua non për legjitimitetin e vet autoritetit gjyqësor. Një gjykatë kushtetuese që ndryshon qëndrimin për çështje identike kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ, faktik apo sistemik, cenon jo vetëm parimin e parashikueshmërisë të së drejtës, por edhe besimin e qytetarëve në koherencën e rendit kushtetues.”
Madje, LVV thotë se kjo gjykatë po krijon në praktikë një të drejtë vetoje për një subjekt konkret politik, Listën Serbe.
“Teksa Kushtetutën për këtë çështje tashmë e ka shndërruar në materie diskutimi dhe tkurrjeje, jo zbatimi.
Çdo interpretim që e sakrifikon këtë funksionalitet për hir të një subjekti politik, i cili për më keq s’e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues dhe e dëmton atë. Sipas Kushtetutës ne jemi shoqëri multietnike, jo shtet multietnik, sepse jemi Republikë demokratike e parlamentare dhe jo federatë a konfederatë. Këtë nuk mundet ta ndërrojë asnjë gjykata, as kjo kushtetuesja.”
Publikohet i plotë aktgjykimi për zgjedhjen antikushtetuese të Nenad Rashiqit


