Vetëvarja e të paraburgosurit në Burgun e Hajvalisë, flasin Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë

news image

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se mbrëmë rreth orës 21:00 është raportuar një rast i rëndë në Burgun e Hajvalisë, ku i paraburgosuri Lulzim Selmani u gjet i vetëvarur në pavijonin B2, qelia nr. 8.

Për rastin sot është deklaruar për Gazetën Sinjali edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e çështjes”, thuhet në përgjigjen e Kaltrina Shalës, zëdhënëses së kësaj prokuroria për Gazetën Sinjali.

“Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Për zhvillime të reja rreth rastit aktual ju njoftoj me kohë.”, tha tutje ajo.

Gazeta Sinjali i ka drejtuar pyetje edhe Ministrisë së Drejtësisë lidhur me masat disiplinore ndaj personave përgjegjës në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Nga Ministria thanë se “se rasti është raportuar në Polici dhe është duke u trajtuar nga organet kompetente hetimore, përfshirë edhe Prokurorinë.”

Në përgjigjen e tyre, nga MD theksuan: “Lidhur me pyetjet tuaja, ju informojmë se Shërbimi Korrektues i Kosovës, në përputhje me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, është institucioni përgjegjës për organizimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e sanksioneve penale në Republikën e Kosovës.

Në raste të caktuara, bazuar në rekomandimet e stafit shëndetësor brenda institucioneve korrektuese, Shërbimi Korrektues ndërmerr veprimet e nevojshme për zbatimin e vendimeve përkatëse, ashtu siç është vepruar edhe në rastin konkret, në zbatim të vendimit të stafit shëndetësor dhe atij të gjykatës.“, thuhet në përgjigje.

Në fund të përgjigjes së tyre, theksuan se janë duke u zhvilluar edhe hetime të brendshme.

“SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar.”, thuhet në përgjigje.

Si ndodhi rasti?

Burimet e Gazetës Sinjali brenda SHKK-së bëjnë të ditur se Lulzim Selmani ka qenë i vetëm në qeli në momentin e ngjarjes.

Zyrtarët korrektues kanë njoftuar menjëherë hetuesinë dhe forenzikën, ndërsa njësia mjekësore ka konstatuar vdekjen në orën 21:07.

Edhe pse fillimisht kishte shenja jete dhe u tentua reanimimi, përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.

Hetuesit dhe forenzika tashmë kanë nisur procedurat për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes tragjike.

Lulzim Selmani ishte arrestuar pak javë më parë për një rast kanosjeje ndaj 22-vjeçarit Ilmi Kongjeli nga Lipjani.

Selmani e kishte kërcënuar vazhdimisht përmes Messenger-it dhe kishte postuar fotografi të tij dhe babait në Facebook me fyerje e shpifje.

Pas denoncimit, më 12 korrik ai ishte ndaluar në Aeroportin “Adem Jashari” dhe me urdhër të prokurorit ishte dërguar në ndalim, e pastaj me vendim të gjykatës në paraburgim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/