PDK, LDK dhe AAK kanë bërë me dije se nuk do të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, tha se kjo parti është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve dhe bashkëpunimin për qeverinë e re.
“Nuk ka asnjë diskutim sa i përket qeverisë asgjë. Nuk ka filluar asgjë, ka mbet situata e re. Kemi qenë kundër votimit për kryetar të Kuvendit për zotëri Bashën edhe nuk ka pasë më tutje. Po them, nëse fillohet ka me fillu me karta të reja, ka me fillu gjithçka nga fillimi, edhe konstituimi i Kuvendit, edhe një kryetar tjetër i Kuvendit, apet ulemi në tavolinë dhe diskutojmë për një situatë të re politike. Sigurisht duke e menduar që endi ka nevojë shumë, shumë urgjente në krijimin institucioneve. Në këtë drejtim, Nisma e ka për qellim me ndihmu. Në çdo rrethanë edhe nëse do të ketë një proces tjetër ku do të hynë subjektet tjera në bisedime, ne do ta përkrahim. Nëse do të jemi vetëm ne, atëherë do të vendosim këtë kërkesë sepse vendit i duhet një figurë unike, plotësisht siç është zotëri Limaj që do ta udhëhiqte institucionin më të rëndësishëm ligjvënës në vend, siç është Kuvendi. Dhe që sjell unifikim sepse e shohim që skena politike është e përçarë, dhe përmes proceseve të mëdha në interes nacional, ne kemi nevojë për lidership që ka dhe sjell unifikim”, tha Izmaku.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, theksoi se partia e tij nuk do të mbështesë një qeveri të VV-së.
“As nuk ka pasur ide, as qëllim as kurrfarë aktiviteti në lidhje me këtë, qëndrimet e Partisë Demokratike janë të njohura. Nuk kemi asnjë lloj koalicioni, as nuk planifikojmë me Lëvizjen Vetëvendosje”, deklaroi Shala për Front Online.
Ai shtoi se qeveria “Kurti 2” ka sjellë izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën.
“Nuk besoj që Partia Demokratike voton një qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila deri tash ka qenë në pushtet dhe Kosovës i ka sjellë izolim ndërkombëtar, sanksione evropiane, skamje dhe varfëri ekonomike, dhe shumë dëme tjera ekonomike dhe politike,” tha Shala.
Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, kritikoi sjelljen e liderit të VV-së, Albin Kurti, duke shkruar në Facebook se:
“Deputeti Albin Kurti po qëndron në krye të Qeverisë tash e 6 muaj në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Po sundon kundërligjshëm. Nuk ndien kurrëfarë urgjence për funksionim kushtetues të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës.”
Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, konfirmoi se kjo parti nuk do të bëhet pjesë e qeverisë Kurti 3.
“Jo, nuk do të bëhemi pjesë e Qeverisë Kurti 3,” deklaroi ajo për Arbresh.info.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se bisedimet për formimin e qeverisë së re ende nuk kanë nisur, edhe pse afati i fundit për prezantimin e kabinetit është më 26 tetor.
“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet t’i shohim kontributet që i kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se dhjetë ditë,” tha Kurti.
Ai shtoi se, nëse nuk arrihet të formohet qeveria Kurti 3, është i gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare, por plani i tij kryesor mbetet krijimi i qeverisë së re qendrore.
“Nëse s’ka qeveri Kurti 3, padyshim se jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare… Njëherë, plani ynë është për qeverinë Kurti 3. Për këtë po përgatitemi, besoj se për këtë duhet të përgatiten edhe tjerët,” tha Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!