Në fundjavë, sytë e gjithë rajonit do të jenë drejt Leskovc, ku të shtunën më 11 tetor, Serbia dhe Shqipëria do të përballen në një ndeshje vendimtare për Grupin K të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Aktualisht, Shqipëria mban vendin e dytë me 8 pikë, një më shumë se Serbia, e cila ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Fitorja në këtë takim do të ishte një hap gjigant për kuqezinjtë drejt fazës së play-off-it.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur besim të plotë se Shqipëria mund të dalë fituese në këtë sfidë. Në një intervistë për kanalin zyrtar të FSHF-së, ai foli për rëndësinë e përqendrimit dhe qetësisë emocionale të ekipit në një ndeshje me tension të lartë.
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme nga pikëpamja sportive. Nuk mund ta injorojmë presionin që sjell atmosfera, por kërkesa jonë ndaj lojtarëve është e qartë: të jenë të përqendruar dhe të tregojnë sportivitet. Ekipi që do të mbetet më i qetë dhe do ta vlerësojë më mirë momentin, do të dalë fitues,” – deklaroi Duka.
Kreu i FSHF-së theksoi gjithashtu se Serbia nuk është një ekip i frikshëm si tërësi, ndonëse ka disa individë cilësorë. Kjo deklaraë ka bërë bujë në Serbi, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
“Kemi një ekip të mirë që di si të përballet me çdo kundërshtar. Besoj se mund të arrijmë një rezultat pozitiv në Serbi. Ata kanë disa lojtarë me cilësi, por si skuadër nuk janë të fortë”, shtoi ai.
Duka përfundoi duke nënvizuar se besimi dhe karakteri do të jenë armët kryesore të Shqipërisë në këtë përballje.
“Shpresoj që presioni të jetë më shumë në anën e Serbisë. Ne do të luajmë me zemër, por edhe me qetësi. Kam besim të madh te djemtë tanë”, deklaroi ai.
Sfida Serbi – Shqipëri, që pritet të zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, do të ketë rëndësi vendimtare për rrugëtimin e të dyja kombëtareve drejt Kupës së Botës 2026. /Telegrafi/