Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmë fshatin Balaj të Ferizajt, ku një burrë rreth moshës 40-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një vrasjeje.
Viktima është identifikuar si Brahim Ramusaj, ndërsa i dyshuari për këtë krim është kushëriri i tij, Bekim Ramusaj.
Për rastin ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit B.R nën dyshimet për vrasjen e djalit të axhës së tij.
Dyshimet janë se vrasja ka ndodhur pas një fjalosjeje verbale në lidhje me një konflikt pronësor.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 15 shtator rreth orës 19:42, në një fshatë të Ferizajt, i pandehuri me dashje e ka privuar nga jeta të dëmtuarin – djalin e axhës së tij I.R., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme që kishin pasur si pasojë e problemeve në lidhje me një konflikt pronësor, me t`u takuar në rrugën e fshatit me njëri tjetrin, pas fjalosjes verbale në atë moment i pandehuri B.R., e nxjerr revolen e tipit ZIG 14 TISAS Turk, dhe shtënë katër herë në drejtim të viktimës I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit, përkatësisht në regjionin e anës së djathtë, nofullës, regjionin e kraharorit të djathtë dy plagë dhe të dy parakrahët, me ç`rast viktima nga lëndimet e shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë rrugës duke e dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, thuhet tutje në njoftim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!