Vendimi i Kushtetueses, Bashkimi Evropian kërkon formimin e institucioneve “sa më shpejt që të jetë e mundur”

news image

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja në vend.

Orav ka theksuar se po analizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila të mërkurën konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

“Ne, ashtu si njerëzit në Kosovë, e kemi marrë këtë informacion tash kohët e fundit, në të njëjtën mënyrë edhe bashkësia ndërkombëtare e mori po ashtu kohët e fundit dhe ne po e analizojmë për momentin. Por sigurisht shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë që të ketë një qeveri me mandat të plotë sa më shpejt që të jetë e mundur.”, ka thënë Orav për mediat.

Kur u pyet për mesazhin drejtuar partive politike, Orav u shpreh: “Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formojeni qeverinë”.

Ndryshe, një ditë më parë Gjykata Kushtetuese njëzëri, ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuesja tutje ka urdhëruar që seanca konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/