Analisti politik, Dardan Sejdiu, është i mendimit që leximet që po i bëhen vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, janë të “përçudta”.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai tha se edhe juristët më të mirë në botë nuk do të mund të bënin këto lexime të “budallakavta politike”.
“Nuk mundet asnjë jurist, më i forti në botë, me paramendu budallakun politik. Kjo është e pamundur. Pra, kur një jurist i mirë fillon të normojë diçka, ai paramendon rrethana logjike racionale. Në kuadër të irracionalitetit, nuk janë këto institucione. Janë institucione tjera ato që merren me irracionalitet. Ata merren pastaj me gjendje të vështira ose të lehta, varësisht nga situata e pacientit”, u shpreh Sejdiu.
Ai tha se hartuesit e Kushtetutës nuk kanë mundur të parashohim lexime të tilla të saj.
“Unë nuk e shoh asnjë mënyrë qysh kanë mundur ata që e kanë draftuar Kushtetutën me parapa që dikush mund të bëjë lexime të përçudta të Kushtetutës. Ajo është fare e qartë. Rregullorja e Kuvendit e shpjegon fare thjesht qysh shkon procedura e zgjedhjes së Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit. Këtu nuk ka vend për interpretim, përveç nëse je irracional ose dashakeq. Edhe kur them dashakeq, po e zbus gjuhën goxha shumë, po mundohem të jem korrekt politikisht sepse unë e shoh këtë marifet krejt ndryshe. E kam thënë disa herë: prej sfidimit të mediave, gjyqësorit, prokurorisë, zgjedhjeve, deri te këto lloj ndarje të votës për kryesi të Kuvendit që vijnë prej pakicave… krejt këto janë metoda që insistojnë për të humbur besimin në institucione në një demokraci liberale”, deklaroi analisti Sejdiu.
Kur humbet besimi në institucione, besimi mbetet “fatkeqësisht te një person, e pas atij një personi, ne përfundojmë edhe diku tjetër pastaj”.
“Sepse kur humbet besimi në njerëz, ne mendojmë që mundemi ta organizojmë shtetin në forma tjera. Nuk i falet më Gjykatës Kushtetuese që kur del me sqarime nuk është diçka më e qartë se kaq”, tha Sejdiu. /Klankosova.tv
The post Vendimi i GjK-së, Sejdiu: As juristi më i mirë në botë s’mund ta paramendojë budallakun politik (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.