Veliaj pritet të dal përpara Gjykatës së Lartë, kërkon ndryshimin e masës

Veliaj pritet të dal përpara Gjykatës së Lartë, kërkon ndryshimin e masës

Erion Veliaj, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, do të dalë këtë të enjte para trupës së Gjykatës së Lartë, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për një masë më të butë sigurie.

Gjyqtarja Albana Boksi do të vendosë nëse do të ndryshojë masa aktuale e paraburgimit, në të cilën Veliaj ndodhet që nga 10 shkurti, raporton Euronews.al.


Veliaj u arrestua nga SPAK për disa akuza që lidhen me korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa bashkë me të është përfshirë edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa.

Çifti akuzohet për përfitime të paligjshme në formë parash dhe pasurish, si dhe për dhënie lejesh ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës në favor të disa subjekteve tregtare dhe organizatave jofitimprurëse.

Mbi Veliajn rëndojnë akuza të tjera serioze, përfshirë pastrim parash, mbajtje të sendeve të ndaluara në burg dhe deklarim të rremë të pasurive.

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi nga detyra për mungesë në punë, por Veliaj ka depozituar ankim në Kushtetuese që pezullon këtë vendim.

Nga ana tjetër Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve për në 9 Nëntor përfshirë 6 vakancat ku përfshihet dhe Tirana.