Politikani i SVP-së, Alfred “Fredi” Heer, vdiq gjatë natës së së premtes, transmeton albinfo.ch.
Politikani i njohur ndërroi jetë në një rrugicë anësore të Langstrasse, në Cyrih, bëri të ditur një burim për “Inside Paradeplatz”.
Policia e qytetit e konfirmoi vdekjen, shkruan 20min.ch.
Alfred Heer ishte 63 vjeç. Ai njihej edhe për faktin se ishte bashkëkryetar i Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë.
E pyetur nga mediat, Policia e Qytetit të Cyrihut deklaroi: “Ne konfirmojmë se Policia e Qytetit të Cyrihut është dërguar në Distriktin 4, natën mes të enjtes dhe të premtes, më 19 shtator 2025, për shkak të një urgjence mjekësore.”
Policia e Qytetit dhe Zyra e Prokurorit Publik po hetojnë ngjarjen, siç ndodh zakonisht në rastet e vdekjeve të papritura.
“Nuk mund të ofrohen informacione të mëtejshme në këtë fazë”, tha policia.
Heer jetonte në Cyrih dhe kishte shërbyer si këshilltar bashkiak nga viti 1994 deri më 1998, këshilltar kantonal nga 1995 deri më 2008, si dhe anëtar i Këshillit Kombëtar nga viti 2007.
Ai ishte gjithashtu anëtar i delegacionit zviceran në Këshillin e Evropës që nga viti 2011, dhe e udhëhoqi atë si president nga 2016 deri më 2018.
Në Këshillin Kombëtar dhe në Këshillin e Evropës, Heer përfaqësonte një politikë të qartë pro-Izraelite.
Që nga viti 2020, ai ishte gjithashtu anëtar i Komitetit të Auditimit të Këshillit Kombëtar.
Heer konsiderohej një mbështetës i vijës së ashpër dhe tërhiqte vazhdimisht vëmendjen me deklaratat e tij të mprehta dhe fjalorin e drejtpërdrejtë.
Brenda partisë, ai shquhej për mendimet e tij të pavarura dhe shpesh devijonte nga qëndrimet zyrtare të partisë, shkruan blick.ch.
Në Këshillin e Evropës, ai mbështeti fuqishëm zgjedhjen e ish-Këshilltarit Federal të SP-së, Alain Berset (53), si President i Këshillit të Evropës.
I diplomuar në biznes, Heer kishte shtetësi të dyfishtë, zvicerane dhe italiane. Ai kishte qenë i martuar me një grua italiane deri në vitin 2003. Nga kjo martesë lindi një vajzë.