
Poezi nga: Hamlet Lima Quintana
Përktheu: Bajram Karabolli
Vdekja gënjen kur shpall se do të vjedhë jetën,
thua se nuk do të ketë më pranverë,
sepse në fund të fundit,
vdekja mund të na vjedhë vetëm kohën,
mundësinë për të buzëqeshur,
apo për të ngrënë një mollë,
për të mbajtur një fjalim,
apo për të shkelur mbi tokën që duam,
për të dhënë dashuri e çdo dite,
apo për të shtrënguar duart,
për të luajtur kitarë,
për të përjetuar shpresën;
ajo vetëm ndryshon hapësirat tona,
vendet ku shtrijmë trupin e lodhur,
për të vallëzuar nën hënë,
ose për të notuar nëpër një lumë,
për të banuar në një shtrat,
për të arritur një shteg tjetër,
për të kënduar nën një degë,
apo mbi një dritare të hapur.
Kaq mund të bëjë vdekja,
por të vjedhë jetën,
nuk mund ta bëjë dot kurrë.
Nuk mund ta kryejë dot atë maskaradë
sepse jeta është një pishtar
që kalon nga një dorë në tjetrën,
nga njeriu te njeriu, nga fara në farë,
një transferim pa kthim,
një udhëtim i pafund drejt së ardhmes,
si një dritë që largon, mizorisht, errësirën.


