Vdekja e të burgosurit në Dubravë, KMDLNJ kërkon ndërtimin e një spitali brenda burgjeve

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas vdekjes së një të burgosuri në Qendrën Korrektuese të Dubravës, duke ngritur shqetësime për kushtet e trajtimit shëndetësor të personave të privuar nga liria.

Në njoftimin drejtuar mediave thuhet se Tasim Zhuniqi, 64-vjeçar, i dënuar dhe në vuajtje të dënimit në Dubravë, ka ndërruar jetë më 15 shtator 2025 në Spitalin Rajonal të Pejës, pas një komplikimi në mushkëri.

“Sipas KMDLNj-së, i dënuari i ndjerë Zhuniqi ishte dërguar me urgjencë në S.R. në Pejë nga Njësia Ambulantore e Q.K. të Dubravë ku trajtohej në kuadër të mundësive profesionale e që, sipas KMDLNj-së ishin dhe janë të pamjaftueshme për trajtim të rasteve të rënda”, thuhet në reagim.

Trupi i të ndjerit, me vendim të prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, siç parashihet me ligj.

Në reagim, KMDLNj ka përsëritur kërkesën për ndërtimin e një spitali në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“KMDLNj edhe më herët ka theksuar se pa ndërtimin e një spitali në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, pa investim në infrastrukturë profesionale duke ofruar stimulim shtesë për profesionistët shëndetësorë që do të punonin në këtë spital, nuk do të ketë përmirësim të trajtimit të shëndetit për personat e privuar nga liria përkundër angazhimit maksimal të Shërbimit shëndetësor të burgjeve.”, theksohet në komunikatë.

Një tjetër problem i madh, sipas tyre, është transporti i të burgosurve për trajtim jashtë qendrave korrektuese.

“Mungesa e kapacitetit pranues në institucionet shëndetësore publike është sfidë e madhe për SHKK dhe SHSHB, e para në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kurse e dyta e Ministrisë së Shëndetësisë. Për KMDLNj paraqet brengë të veçantë pandjeshmëria e gjykatave edhe për rastet me sëmundje të pashërueshme duke refuzuar thuaja çdo kërkesë të argumentuar nga Shërbimi Spitalor i Burgjeve për ndërprerje të dënimit.”, thuhet më tej.

Në fund, KMDLNj ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit duke kërkuar “reflektim institucional” lidhur me trajtimin e shëndetit të të burgosurve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/